Policia e Kosovës publikon hartën e pozicionimit e policëve që u rrëmbyen nga Serbia

Tre policë kufitarë të Kosovës janë rrëmbyer nga njësia speciale policore e Serbisë brenda territorit të Kosovës. Zëdhënësi i Policisë, Baki Kelani, ka deklaruar se pretendimet se ata ishin arrestuar brenda territorit të Serbisë nuk janë të vërteta. Policët ishin patrullues kufitarë dhe kryenin detyrën e tyre në një pikë statike në territorin e Kosovës për të parandaluar kalimin e grupeve kriminale dhe kontrabandën, duke përfshirë dyshime për armatim në atë zonë.

Policia e Kosovës, e ka publikuar hartën e vendndodhjes së tre policëve të cilët u rrëmbyen dhunshëm nga njësia speciale policore e Serbisë, brenda territorit të Kosovës.

Zëdhënësi i Policisë, Baki Kelani, tha se tre policët kufitar të Kosovës, u kidnapuan në mënyrë klasike nga njësia speciale policore e Serbisë.

Sipas tij, pretendimet e tyre se policët e Kosovës, janë arrestuar brenda territorit të Serbisë nuk janë të vërteta.

“Në formë të organizuar kanë kidnapuar tre zyrtarë të policisë së Kosovës, patrullues. Dua ta theksoj se ka ndodhur një kidnapim klasik nga forcat serbe. Policia dëshiron të theksoj se njësia patrulluese e kufirit, ka qenë me detyrë zyrtare, në pikë statike thellë në territorin e Kosovës, kanë qenë duke e kryer detyrën zyrtare, për ta parandaluar kalimin e grupeve kriminale të kalojnë, ta ndalojnë kontrabandimin përfshirë edhe dyshimet për armatim në atë pjesë”, ka thënë ai.

Kelani tha se njësitë tjera të policisë kanë shkuar për asistencë për ndihmë të tre zyrtarëve policorë, por me të shkuar në vend të ngjarjes ata nuk janë parë më aty.

“Fillimisht njësiti policor më tre zyrtarë kanë parë se në atë lokacion kanë lëvizur persona të maskuar e të armatosur, që dyshohen të jenë forcat e armatosura speciale të Serbisë. Njësitë tjera kanë shkuar për asistencë, me të shkuar kanë vërejtur vetëm automjetin zyrtarë”, ka thënë ai.

Ai e ka demantuar raportimin nga Serbia, se zyrtarët policorë janë pjesë e njësisë speciale, sipas tij ata janë vetëm patrullues kufitar.

Sipas tij, ata kanë qenë në një pikë statike për ta penguar kontrabandën nga Serbia.