Policia e Kosovës ka njoftuar se ia konfiskuar një serbi një shumë të madhe parash në pikën kufitare – Dheu i Bardhë.
Policia bën të ditur se sasia e parave të konfiskuara është gjetur në veturën e një shtetasi të Serbisë.
“Zyrtarët e Policisë Kufitare në Kaçanik/ Stacioni Policor për Kontroll Kufitar – Dheu i Bardhë, në dalje nga Republika e Kosovës në drejtim të Republikës së Serbisë, me datën 23/03/2022, në orën 20:20, sipas analizës së riskut dhe informatave, kanë dërguar në vijë të dytë të kontrollit drejtuesin e automjetit ‘audi’ me inicialet N.A., (1961), mashkull me shtetësi të Serbisë”, thuhet në njoftim.
Tutje, Policia ka njoftuar se paratë janë dollarë amerikanë dhe dinarë serbë.
“Gjatë kontrollit më të detajuar, në vijë të dytë të kontrollit, në brendi të automjetit, të fshehura dhe të maskuara janë zbuluar dy qese të najlonit. Gjatë procedurave të tjera të kontrollit, janë zbuluar 35600 USD (tridhjetë e pesë mijë e gjashtëqind dollarë amerikanë) dhe 6.653.590 RSD (gjashtë milionë e gjashtëqind e pesëdhjetë e tre mijë e pesëqind e nëntëdhjetë dinarë serbë)”.
Më tej, në njoftim theksohet se sipas procedurave të parapara Policia Kufitare ka bashkëpunuar ngushtë me Doganën e Kosovës së cilës i janë dorëzuar paratë e konfiskuara dhe rasti për procedurë të mëtutjeshme. /Telegrafi/