Policia arreston 14-vjeçarin të dyshuar për vrasjen e bashkëmoshatarit në Tiranë

Policia shqiptare e ka arrestuar të martën një 14-vjeçar si të dyshuar për vrasjen e një bashkëmoshatari një ditë më parë në Tiranë.

Viktima dhe i dyshuari ishin nxënës të shkollës fillore “Fan Noli” në qendër të Tiranës.

“I mituri, 14 vjeç, u arrestua për veprat penale ‘vrasje me dashje e kryer ndaj të miturit’ dhe ‘mbajtje pa leje e armëve të ftohta’”, thuhet në njoftimin e policisë së Tiranës.

Policia sqaron se i mituri ditën e hënë, në afërsi të shkollës është përleshur me dy bashkëmoshatarë të tij dhe gjatë konfliktit i ka goditur ata me mjet prerës.

Si pasojë e këtij plagëve humbi jetën 14-vjeçari Martin Cani, ndërsa u plagos shoku i tij.

Viktima ishte gjithashtu pjesë e një ekipi futbolli për moshat nën 15-vjeçare në kryeqytet. Ai humbi jetën pasi mbërriti në spital.

Ngjarja ndodhi rreth orës 13:00 të ditës së hënë, menjëherë pas përfundimit të mësimit.

Ministria e Arsimit ngushëlloi familjen e viktimës dhe u kërkoi institucioneve të zbardhin menjëherë rrethanat e ngjarjes.

“Siguria në shkolla dhe jashtë tyre ka qenë dhe do të mbetet një prioritet absolut, i bashkëpunimit mes Ministrisë së Brendshme, Policisë së Shtetit, Ministrisë së Arsimit, Pushteti Vendor, komunitetit dhe të gjithë shoqërisë”, është thënë në deklaratën e ministrisë.

Vetë ministrja e Arsimit, Ogerta Manastirliu, është shprehur e tronditur nga ky rast.

“Është një ngjarje nga e cila duhet të reflektojmë. Na fton që si përfaqësues të qytetarëve të angazhohemi më shumë për ambient më të sigurt për fëmijët tanë”, ka thënë ajo.

Opozita, në anën tjetër, ka thënë se ministria e Arsimit dhe ajo e Brendshme duhet të mbajnë përgjegjësi.

“Manastirliu duhet japësh dorëheqjen dhe të ikësh me turp nga ky skandal, pasi keni dështuar që me psikologët në shkolla, te oficeret e policisë në shkolla”, ka thënë deputetja e opozitës Ina Zhupa, pas deklaratës së ministres së Arsimit.

Edhe presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj reagoi duke theksuar se ngjarja e rëndë shqetëson dhe ngarkon me përgjegjësi të gjithë për mjedisin ku po rriten dhe edukohen fëmijët duke përfshirë shoqërinë, shkollën dhe familjen.

“Të frenojmë promovimin e dhunës në rrjetet sociale dhe hapësirën online, si dhe të ndalojmë çdo lloj shfaqje të dhunshme në shoqërinë tonë. Fëmijët meritojnë të orientohen drejt modeleve pozitive të punës, shkollimit dhe arritjeve nëpërmjet tyre”.

Këtë vit shkollor është rritur numri i zyrtarëve policorë të angazhuar për sigurinë në shkolla, duke e çuar shifrën totale në 240.

Qeveria premtoi se buxheti për vitin tjetër parasheh fonde për rritje të numrit të zyrtarëve, ashtu që secila shkollë të ketë një zyrtar të sigurisë.

Kjo masë është pjesë e nismës Paketa e Sigurisë në Shkolla, që është në vitin e dytë të zbatimit.

Kjo masë është hartuar për shkak të rritjes së numrit të veprave penale të regjistruara pranë shkollave, ku shpesh përfshiheshin edhe të mitur.