Kryefjalë e premtim i çdo partie politike, në secilat palë zgjedhje mbetet sigurimi shëndetësor dhe jetësor i pjesëtarëve të Policisë së Kosovës.
Por, është fundi i vitit 2022 dhe ende ky mbetet vetëm zotim fushatash.
Rasti i fundit që sjell ndërmend mosrealizimin e kësaj kërkese të kamotshme është plagosja e zyrtarit policor në veri të vendit.
Bile kreu i Sindikatës së Policisë thotë kanë pasur një propozim për Qeverinë lidhur me një zgjidhje së paku për 1 vit, por të njëjtit nuk kanë kthyer përgjigje.
“Që Qeveria në buxhetin e Policisë t’i dërgojë 5 milionë euro, dhe me marrëveshje me një kompani private të sigurimeve mund të bëjë për një vit sigurimin shëndetësor për të gjithë pjesëtarët e Policisë së Kosovës”, ka thënë Imer Zeqiri.
E se është koha e fundit që sigurimi shëndetësor për policët të bëhet, po e thotë edhe ish-drejtori i Policisë, tash deputet në PDK, Rashit Qalaj.
“Paramendoni se si ndihen familjarët e tyre, kur e dinë që i kanë vëllezërit e tyre, prindërit e tyre në veri, ku shpesh herë nuk ka as komunikim që me e ditë qysh është gjendja e tyre shëndetësore. Dhe paramendoni përveç anës emocionale se si ndihet familja e tyre, se si ndihen në ndonjë rast fatkeqësi, sikur plagosja e policit ditë më parë kur mungojnë sigurimet shëndetësore. Besoj që është një gjendje e papranueshme”, ka thënë Qalaj.
Ndërkohë, që një iniciativë tjetër e ka marrë një kompani private, me ç’rast ka dhënë donacion për sigurimin shëndetësor të paktën për njësitet speciale të Kosovës.
E meqë shteti nuk po e bën, kjo iniciativë po i duket në rregull ish-shefit të Inspektoratit të Policisë, Valdet Hoxha, i cili përmend statistika shqetësuese rreth lëndimit të policëve në punë.
Ministria e Punëve të Brendshme e as Qeveria nuk kanë kthyer përgjigje për mundësitë ligjore për donacione për Policinë, por as për iniciativat e shtetit që të zgjidh këtë çështje.