Policët e arrestuar vizitohen nga shefi i Zyrës Ndërlidhëse të Kosovës në Serbi, Kurti e Gërvalla shpalosin detaje


Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se kidnapimi i tre zyrtarëve të Policisë së Kosovës, ndërlidhet me propozimin e tij pesë pikësh për deeskalim të situatës në veri të vendit, raporton EO.

Teksa ka folur për kidnapimin e policëve, shefi i ekzekutivit u shpreh shteti serb ka për synim destabilizimin e shtetit të Kosovës. Ai këtë veprim e quajti edhe si hakmarrje nga ana e Serbisë, pasi zyrtarët policor po luftojnë krimin e organizuar.

“Në mesditën e 14 qershorit, u ushtrua agresion nga ana e Serbisë me anë të arrestimit të tre zyrtarëve policor thellë në brendi të territorit të Republikës së Kosovës. Ky akt i agresionit të pashembullt ushtarake të Serbisë, është hakmarrje direkte ndaj Policisë së Kosovës, vetëm e vetëm sepse po luftohet krimi i organizuar dhe që ka për synim destabilizimin, atëherë kur patëm propozuar planin pesë pikësh për deeaskalim të plotë të situatës në veri të vendit tonë”, ka thënë Kurti.

Kurti, në një konferencë për media ka thënë se zyrtarët policor janë vizituar nga shefi i Zyrës Ndërlidhëse të Kosovës në Serbi, Jetish Jashari.

“Vetë ngjarja e rrëmbimit të policëve ka ndodhur në Kosovë, rrëmbimi nuk ka ndodhur në Serbi. Ne jemi në komunikim të vazhdueshëm edhe me zyrën ndërlidhëse në Serbi. Ambasadori Jetish Jashari ka vizituar policët ndaras sot, përshkrimi se si ka ndodhur rrembi është i njëjtë nga të tretë. Ata thonë se rrëmbimi ka qenë tek tryeza duke ngrënë drek dhe 15 persona (ushtarak serb) i kanë sulmuar dhe i kanë rrëmbyer. Te tret kanë rrëfyer njëjte kur janë pyetur ndaras nga ambasadori Jetish Jashari”, u shpreh tutje Kurti.