Pas vizitës që patën me Kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, pesëshja diplomatike e udhëhequr nga emisari evropian, Miroslav Lajçak, i shoqëruar nga I dërguari i posaçëm i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, këshilltarët për polikë të jashtme dhe siguri të Kancelarit të Gjermanisë, Olaf Scholz dhe të Presidentit të Francës, Emmanuel Macron, Jens Plötner dhe Emmanuel Bonne, por edhe zëvendës këshilltarin diplomatik të Kryeministres së Italisë Giorgia Meloni, Alessandro Cattaneo mbajtën konferencë për media derisa u theksuar se ekziston një plan për vazhdimin e dialogut, të cilin e kanë diskutuar me kreun e qeverisë kosovare por që nuk mund të jepen detaje.
“Gjithmonë kemi një plan, pra po kemi një plan. E kemi diskutuar me kryeministrin Kurti dhe do ta diskutojmë me presidentin Vuçiq. Nuk mund të hyjë në hollësi në këtë moment. Nuk ka alternativë ndaj dialogut sepse dialogu sjell normalizim të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë dhe hap shtegun e BE-së për të dyja vendet”, deklaroi Lajçak.
Emisari Lajçak përsëriti gjithashtu se Asociacioni i komunave me shumicë serbe duhet të themelohet shumë shpejt, pasi siç tha ai pa të Kosova nuk mund të bëjë përparim të shpejt drejt Bashkimit Evropian.
Lajçak tha se “çfarëdo kushti, apo çfarëdo vonese për normalizimin e marrëdhënieve është e papranueshme”.
“Dialogu është më i rëndësishëm së kurrë, sepse nëse nuk ka dialog mund të përsëritet eskalimi, dhe kjo nuk është çka duam ne, as çka doni ju. Prandaj jemi këtu. E dyta, nuk ka alternativë tjetër pos dialogut, sepse dialogu sjell normalizim e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë dhe e hap rrugën evropiane për Kosovën dhe Serbinë”, tha Lajçak.
Lajçak edhe në Serbi ka përsëritur se dënojnë sulmin terrorist në Kosovë më 24 shtator dhe presin që të gjithë autorët të dalin para drejtësisë, derisa nga Serbia ka kërkuar bashkëpunim në këtë proces.
“Ne presim nga Kosova dhe Serbia që t’i plotësojnë tërësisht detyrimet e tyre brenda dialogut. Ngjarjet e 24 shtatorit nuk e ndryshojnë faktin se Kosova dhe Serbia bënë marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve në fillim të këtij viti”, tha Lajcak duke iu referuar sulmit kundër Policisë së Kosovës nga një grup serbësh të armatosur në veri të Kosovës, ku mbeti i vrarë rreshteri Afrim Bunjaku.
Në njoftimin e Qeverisë së Kosovës, citohet që kryeministri Kurti t’i ketë thënë pesë emisarëve se është i nevojshëm reflektimi cilësor dhe një qasje e re në dialogun me Serbinë dhe se diskutimet duhet të vazhdojnë intensivisht.
Siç thuhet tutje në njoftim, Kurti theksoi që prioritet kryesor dhe çështje urgjente për Republikën e Kosovës është siguria e shtetit dhe e qytetarëve, e kufijve dhe e territorit. /Reporteri/