Plagosen dy persona në Bardhosh të Prishtinës

Dy persona janë plagosur me armë zjarri në fshatin Bardhosh të Prishtinës, të njëjtit janë dërguar në QKUK për të marrë trajtimin e nevojshëm mjekësor.

Këtë e ka konfirmuar për Klankosova.tv, zëdhënësi i Policisë për rajonin e Prishtinës, Agron Borovci.

“Rreth orës 15:30 është pranuar informata për një rast të plagosjes me armë zjarri, të ndodhur në fshatin Bardhosh të komunës së Prishtinës”.

“Policia ka dalë në vendin e ngjarjes dhe mbështetur në të dhënat e para, janë ngritur dyshimet se dy persona janë plagosur me armë zjarri nga persona aktualisht të panjohur”, është shprehur Borovci.

“Ndërkohë që viktimat janë dërguar në QKUK, për të marrë trajtimin e nevojshëm mjekësor, hetuesit policorë kanë nisur një hetim me qëllim të sqarimit të të gjitha rrethanave që karakterizojnë rastin si dhe identifikimin e të dyshuarve të mundshëm”.