Pjesëmarrja në një varrim, përkundër vendosjes së masave kufizuese të lëvizjes, e ka rritur ndjeshëm numrin e personave të infektuar me COVID-19 në Pejë.
Në rritjen e numrit të të infekturave ka ndikuar edhe shkuarja për ngushëllime në ditët në vazhdim te familja e të ndjerës.
Si pasojë e të dyjave janë konfirmuar 36 raste pozitive me koronavirus, 15 në Bllagajë dhe 21 rastet tjera në lagjen “Kristal” të Pejës, raporton KOHA.
Në mesin e të testuarve pozitivë të enjten është edhe nëna e vajzës së ndjerë, e cila është pjesëtare e Policisë.
Policia nuk e di nëse pjesëtarë të saj kanë shkuar për ngushëllime në familje, por nuk kanë parë simptome te kolegia e tyre kur ajo u kthye më 16 prill për një punë në stacion.
Deri tash, policia nuk ka ndërmarrë ndonjë masë shtesë apo edhe për izolimin e mundshëm të ndonjë polici që mund të ketë pasur kontakt të afërt me zyrtaren policore të infektuar me COVID-19.
Edhe pse janë duke vazhduar gjurmimet e kontakteve tjera për testime, në komunë e përjashtojnë mundësinë e rritjes së numrit të të infektuarve ditët në vijim.
E, pavarësisht numrit të lartë të rasteve të të infektuarve në këto dy vendbanime, komuna nuk ka ndërmarrë ndonjë masë shtesë apo futjen në karantinë të fshatit Bllagajë dhe lagjes “Kristal”.
Stacioni policor në Pejë të enjten është dezinfektuar në tërësi, kurse Muhaxheri u ka bërë thirrje qytetarëve që të qëndrojnë në shtëpi.