Burim Piraj, prodhues vendor dhe nismëtar i fushatës “Besa-besë” për bojkotimin e produkteve serbe ka ripërsëritur kërkesën që të mos blihen mallrat e prodhuara në Serbi.
Piraj ka thënë të premten në “Sot” të KTV-së që të mos keqkuptohet se është duke bërë fushatë për vete, pasi siç ka thënë, produktet që i prodhon kompania e tij nuk konkurrohen nga ato të Serbisë.
“Mos të keqkuptohemi prej masës pasi që unë jam prodhues vendor, të mos keqkuptohemi se unë po bëj fushatë për vetveten time. Produktet e Serbisë nuk interferojnë produktet e mija. Nuk ka produkte të Serbisë që më bëjnë konkurrencë. Nuk e kam konkurrencë Serbinë. Qëllimi primar është që të mos blihen produktet serbe”, ka thënë Piraj.
Sipas tij, produktet serbe në Kosovë nuk blihen me vetëdije, por nga marketingu i madh që u bëhet atyre.
Piraj ka thënë po ashtu se fushata po sulmohet vazhdimisht nga hakerët serbë, derisa ka shtuar se po rritet numri i marketeve nëpër Kosovë që nuk po mbajnë produkte serbe.
“E kemi pasur vetëm një market që nuk ka pasur produkte serbe, tani kemi një në Gjilan, dy në Prishtinë, një në Prizren dhe kemi shitore që nuk po e mbajnë asnjë produkt serb”, është shprehur Piraj.