Prodhuesi vendor, Burim Piraj, ka thënë se në Kosovë duhet të funksionojë liberalizimi i tregut të energjisë në mënyrë që afarizmi të mos përballet me sfidat e ndërprerjes së energjisë elektrike.
Meqë Kosova ka rezerva të mëdha të linjitit, ai ka thënë se Kuvendi i Kosovës duhet ta miratojë një ligj për linjitin dhe më pas të bëjë hapjen e një tenderi ndërkombëtare për të investuar dhe shfrytëzuar këto rezerva konform standardeve.
Piraj ka thënë për gazetën “Epoka e re” se liberalizimi i tregut të energjisë siç është në Bashkimin Evropian do të evidentonte ndërprerjet e energjisë elektrike.
“Kosova është një vend shumë i vogël dhe nuk do të thotë se patjetër duhet të ketë prodhim të vetin të energjisë elektrike, vetëm se duhet të liberalizohet tregu i energjisë elektrike ashtu siç është në Bashkimin Evropian. Pastaj kurrë nuk do të ketë mungesë të energjisë elektrike, edhe pse KEDS-i nuk ka bërë investime të nevojshme në rrjet. Kështu që për shkak të prishjeve mund të ketë herë pas here mungesë të energjisë në regjione të ndryshme”, u shpreh ai.
Ndërkaq sa i përket shfrytëzimit të linjitit, Piraj ka propozuar që Kosova ta miratojë ligjin për linjit ashtu njëlloj si shteti gjerman. “Po kthehem tek TC, në Evropë janë tri shtete që e shfrytëzojnë linjitin për prodhim të energjisë elektrike; Gjermania, Polonia dhe Greqia. Prandaj pse Kosova mos ta bëjë të njëjtën gjë. Mendoj se dështimi ka të bëjë me implikimin e politikanëve në zhvatje për përfitime materiale. Propozimi im kishte me qenë që Kuvendi i Kosovës të miratojë ligjin aktual gjerman në lidhje me përdorimin e linjitit për prodhim të energjisë elektrike, pastaj të shpallet tender ndërkombëtar dhe me siguri do të ketë qindra firma të interesuara për të investuar në ndërtimin e TC në Kosovë”, ka thënë Piraj.