Qendra Kombëtare për Menaxhim Kufitar (QKMK), ka njoftuar qytetarët se janë tri pika kufitare të daljes nga Kosova, ku kërkohet testi negativ për koronavirus.
Bëhet fjalë për pikën kufitare në Glloboqicë, Kullë dhe Han i Elezit, pra pikat kufitare të Kosovës me Maqedoninë e Veriut dhe Malin e Zi.
QKMF së bashku me këtë informacion, përmes një tabele, njoftojnë qytetarët edhe për fluksin në pikat e kalimit kufitar.
Kujtojmë se, në dy javët e fundit Kosova dhe disa vende të rajonit kanë shënuar rritje të ndjeshme të rasteve me COVID-19. Gjatë ditës së djeshme Kosova ka shënuar rekordin më të zi që nga fillimi i pandemisë, ku janë konfirmuar gjithsej 214 raste me infeksion.
Deri më tani në vend janë total 4 mijë e 100 raste pozitive nga 26 mijë e 425 mostra të testuara, 86 kanë përfunduar me vdekje pasi që kanë pasur edhe sëmundje të tjera shoqëruese.
Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike në Kosovë ka njoftuar se deri më dje janë shëruar gjithsej 2 mijë e 63 raste, kurse raste aktive janë 1 mijë e 951.