Pfizer demanton qeverinë Hoti: Ende s’kemi nënshkruar marrëveshje për vaksinat

Kompania Pfizer dhe BioNTech ka demantuar Qeverinë e Kosovës për sigurimin e vaksinave. Zyrtarët e Pfizer kanë deklaruar se kanë biseduar por ende nuk kanë arritur marrëveshje

Gazeta Shneta ka kontaktuar me përfaqësues të Pfizer dhe të njëjtit kanë konfirmuar se janë në bisedime me Qeverinë e Kosovës, por ende nuk kanë nënshkruar asnjë marrëveshje.

“Kemi pas bisedime me Qeverinë. Për t’u arritur marrëveshja ajo duhet të nënshkruhet. Përderisa ende nuk është nënshkruar nga të dy palët, ne nuk mund ta komentojmë atë”, ka deklaruar Urska Lakner, menaxhere e kompanisë për rajonin e Adriatikut.

Lakner ka theksuar për Gazetën Shneta se Pfizer dhe BioNTech do të punojë ngushtë me të gjitha qeveritë, përfshirë edhe Kosovën, për të siguruar qasje në vaksinë. Por ka deklaruar se detajet nga bisedimet mbeten konfidenciale.

Ministri i Shëndetësisë Armend Zemaj ditë më parë ka deklaruar se ka marr konfirmimin nga kompania Pfizer për sigurimin e 500 mijë dozave të vaksinës.

“Siç e kemi bërë të ditur dje, në kuadër të angazhimeve konkrete të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Ministrisë së Shëndetësisë për sigurimin e vaksinave kundër COVID-19, kemi marrë konfirmimin nga kompania Pfizer për sigurimin e 500 000 dozave të kësaj vaksine. Këtë konfirmim e kemi marrë ditën e djeshme pas një seri takimesh dhe negociatash me këtë kompani, vaksina e së cilës është e para që është aprovuar për përdorim, në kuadër të përpjekjeve globale për mbrojtje kundër COVID-19”, ka deklaruar Zemaj.

Sipas Zemajt gjatë kësaj jave ka mbetur vetëm finalizimi i aspekteve teknike.

Edhe kryeministri Avdullah Hoti ka deklaruar se grupi i cili negocion blerjen e vaksinavë në emër të Qeverisë, ka konkretizuar bisedat me Pfizer për sigurimin e vaksinës.

“Zyrtarisht, formalisht, pas bisedave të grupit të Ministrisë së Shëndetësisë që negocion sigurimin e vaksinave në emër të Qeverisë, dje janë konkretizuar bisedat me Pfizer për 535 mijë vaksina. Janë konkretizuar bisedat me Austrinë për 600 mijë vaksina dhe me Covaxin janë kryer më herët për 720 mijë vaksina. Kemi siguruar edhe buxhetin siç e dini është miratuar janë ndarë 40 milionë euro vetëm për vaksina dhe jemi të përgatitur për këtë proces. Ne presim që vaksinat e para do të arrijnë në muajin shkurt”, ka deklaruar Hoti.

Kujtojmë poashtu se COVAX në një përgjigje për Gazetën Shneta ka deklaruar se vaksinat e para për Kosovën mund të dërgohen deri në fund të qershorit vetëm për punëtorët shëndetësorë, ndërsa pjesa tjetër deri në fund të muajit dhjetor.