Këshilli Prokuororial i Kosovës ka pezulluar nga puna prokurorin e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Eset Rama.
Lajmi për pezullimin është bërë i ditur nga Këshilli Prokuoriral, ndërkohë që KOHA nga burimet e saj ka mësuar se bëhet fjalë për prokurorin Rama.
Sipas burimeve, pezullimi është bërë pasi Rama ka liruar në procedurë të rregullt, policin Haris Kelmendi, i cili në një video të zbuluar së fundi, shihet teksa e rrah një të ri në stacionin policor.
Videoja është bërë vite më parë, por vetëm tash është zbuluar.
KOHA nuk ka arritur të kontaktojë prokurorin Rama, ndërkohë Këshilli Prokurorial ka thënë të ketë mbajtur takim urgjent.
“Në këtë takim, KPK-ja ka trajtuar kërkesën e autoritetit kompetent për shkelje disiplinore nga ana e një prokurori të Prokurorisë Themelore në Prishtinë. Me këtë rast, KPK-ja ka marrë vendim në mënyrë unanime për pezullimin nga puna të prokurorit në fjalë, si dhe ka themeluar Panelin hetimor, i cili do të trajtojë rastin dhe do t’i rekomandojë KPK-së vendimin përfundimtar”, thuhet në njoftimin e KPK-së.
Pas lirimit të policit Kelmendi, ai më pas është arrestuar sërish dhe i është caktuar masa e arrestit 30-ditësh.