Pesëshja e madhe në Kosovë dhe Serbi në përpjekje “për të shpëtuar dialogun”

Qëllimi i vizitës në Kosovë dhe Serbi i përfaqësuesve të pesë shteteve kryesore, sipas diplomatëve në Bruksel, është përpjekja që “të shpëtohet procesi i dialogut” dhe Marrëveshja drejt normalizimit, e arritur më herët gjatë këtij viti.

Më 21 tetor, përfaqësuesit e Shteteve të Bashkuara, Gjermanisë, Italisë, Francës do të shoqërojnë përfaqësuesin e Bashkimit Evropian për dialogun, Mirosllav Lajçak, në takimet në Kosovë dhe Serbi.

Sipas burimeve diplomatike në Bruksel, qëllimi i vizitës është të shtyhet përpara zbatimi i Marrëveshjes drejt normalizimit dhe Aneksit për zbatimin e saj.

Pas rundit të fundit të dialogut në nivel të lartë më 14 shtator, përfaqësuesi i lartë i bllokut, Josep Borrell, ka thënë se të dyja palët po shkelin oblgimiet e kësaj marrëveshjeje. Por, gjatë këtij takimi, Borrell tha se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, nuk pranoi një plan të sekuencimit për zbatimin e kësaj marrëveshjeje.

Kjo marrëveshje, prej 11 nenesh, mes tjerash parasheh edhe një nivel të vetëmenaxhimit për komunitetin serb në Kosovë dhe njohje të ndërsjellë të simboleve shtetërore, ndërsa kërkon nga Prishtina dhe Beogradi që t’i zbatojnë, po ashtu, të gjitha marrëveshjet e mëhershme të dialogut.

“Të gjitha këto vende janë një lloj garantuesish të marrëveshjes dhe askush nuk dëshiron të shohë atë duke dështuar. E vetmja mënyrë që situata të stabilizohet në afat të gjatë, është përparimi në procesin e dialogut dhe normalizimit”, tha një burim në Bruksel.

Burimet në Bruksel thanë se “është i domosdoshëm angazhimi i vendeve të mëdha të BE-së krahas Shteteve të Bashkuara të Amerikës për të shpëtuar dialogun pasi fuqia e përfaqësuesve të BE-së në këtë drejtim nuk do të ishte e mjaftueshme”.

Vizita në Kosovë dhe Serbi e grupit që njihet si Pesëshja e madhe është e para që nga sulmi i 24 shtatorit kundër policisë së Kosovës në Banjskë të Zveçanit.

Një grup serbësh të armatosur sulmuan policinë e Kosovës, duke lënë të vrarë rreshterin Afrim Bunjaku. Gjatë përleshjeve, autoritetet thanë se u vranë edhe tre sulmues.

Kosova e ka fajësuar Serbinë për sulmin, por Beogradi ka thënë se nuk ka gisht në të. Përgjegjësinë për organizimin e sulmit e mori Radoiçiq, i cili dha dorëheqje nga posti i nënkryetarit të Listës Serbe, partisë kryesore të serbëve në Kosovë që ka mbështetjen e Beogradit zyrtar.

SHBA-ja dhe BE-ja kanë dënuar ashpër sulmin. Borrell e ka cilësuar si terrorist sulmin.

Tashmë BE-ja dhe shtetet anëtare po presin rezultatet e hetimeve për të parë se kush e kishte planifikuar sulmin, kush i kishte ndihmuar sulmuesit dhe më pas do të vendosin për masa eventuale.

Tash për tash, masa ndëshkuese ka ndaj Kosovës, për shkak të tensioneve të mëhershme në veri të Kosovës, por në BE nuk e kanë përjashtuar mundësinë që të vendosen sanksione ndaj Serbisë. /Rel/