Një e mitur është dhunuar nga pesë persona për shtatë orë, mbrëmjen e 27 gushtit në Prishtinë, ndërsa deri më tani janë arrestuar dy prej autorëve të dyshuar.
Pas ngjarjes së rëndë vajza është dërguar në vendstrehim dhe më pas dy kosovarët, midis tyre një i mitur, janë vënë në pranga.
Në deklaratën e Prokurorisë thuhet se për të arrestuarit do të paraqitet në gjykatë, kërkesa e masës së sigurisë me paraburgim.
“Rastit të cilit i referoheni ju njoftojmë se me urdhër të prokurorit kujdestar nga Departamenti për të Mitur, janë ndaluar dy persona të dyshuar, personi madhor është ndaluar në kohëzgjatje prej 48 orësh, ndërsa i mituri në kohëzgjatje prej 24 orësh, për shkak të dyshimit se kanë kryer veprën penale “Dhunimi”, si dhe, ndaj të njëjtëve Prokurori i Shtetit ka paraqitur kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit në gjykatën kompetente”, sipas Prokurorisë.
Policia ka raportuar se e gjithë ngjarja ka ndodhur nga ora 17:30 deri në 00:30 mbrëmjen e së shtunës.