Pesë mënyra për t’i mbajtur fëmijët larg ushqimit të shpejtë

Në ditët e sotme ushqimi i shpejt apo i shumëpërpunuar po e dëmton tej mase shëndetin e fëmijëve duke çuar në gjendje jo të mira shëndetësore si mbipesha, e cila mund të sjellë shumë sëmundje në moshë të hershme, përfshirë diabetin, tensionin e lartë të gjakut e kolesterolin e lartë.

Dietologët e psikologët po këshillojnë disa mënyra për t’i larguar fëmijët nga ky ushqim i dëmshëm, raporton India.com

Mënyra e parë është që prindërit të bëhen shembull i të ngrënit. Gjithçka fillon brenda shtëpisë dhe zakoneve që prindërit kanë, prandaj këshillohet që prindërit të prirën të blejnë ushqim të cilin duhet të përgatisin në shtëpi e që ka vlera të mira ushqyese. Përveç kësaj, prindërit duhet t’u tregojnë fëmijëve të mirat që vijnë nga ushqimi që përgatitet për ta.

Mënyra e dytë është t’u kufizohet qasja në ushqim të shpejtë. Psikologët këshillojnë që për evitim të ushqimit të shpejtë, fillimisht nuk duhet të frekuentohen vendet ku ai përgatitet. Përveç kësaj, pasi gjithçka fillon në shtëpi, prindërit dhe anëtarët e familjes nuk duhet blerë ushqime të pashëndetshme, të cilat fëmijët mund t’i marrin lirshëm nëpër dollapë apo frigorifer. Në këto ushqime përfshihen pijet me sheqer të shtuar, biskotat e paketuara, bonbonet e lëpirëset.

Mënyra e tretë është që t’ua bëni fëmijëve argëtuese kohën kur konsumohet ushqimi. Mëngjesi, dreka e darka duhet të jenë vakte të cilat fëmijëve ju duken interesant. Që të ndodhë kjo duhet të lihen fëmijët të inkuadrohen në zgjedhjen e ushqimeve tek pemëshitësi e në dyqane, në mënyrë që ata të kuptojnë rëndësinë e të zgjedhurit të përbërësve të shëndetshëm për ta, kështu pastaj do të jenë më të interesuar të hanë atë çka përgatisin bashkë me prindërit.

Mënyra e katërt është që fëmijët të inkurajohen që të përfshihen nëpër aktivitete të ndryshme fizike. Përveç shumë sporteve, një aktivitet fizik i mirë do të ishte edhe një ngjitje në mal apo çiklizmi. Aktiviteti fizik përveç që djegë kaloritë e tepërta, krijon shprehi për një të ardhme të shëndetshme.

Mënyra e pestë është që fëmijët të kenë më pak qasje në pajisje elektronike. Duke qëndruar ulur dhe duke mos u përfshirë në biseda përgjatë vakteve mund të jetë gjë e dëmshme për shëndetin e fëmijëve, sidomos për ata të moshës mbi 5 vjeç, sepse atëherë janë më të vetëdijshëm dhe kuptojnë më mirë nëse ju shpjegohen gjërat në mënyrë të thjeshtë. Kur kalojnë kohë duke shikuar video nëpër pajisje elektronike, fëmijët priren të hanë më shumë gjëra të pashëndetshme, sepse nuk e kanë vëmendjen tek ushqimi.