Kosova ka arritur vetëm barazim ndaj Moldavisë të enjten mbrëma në Parma, në hapje të kampanjës në edicionin e dytë të Ligës së Kombeve të UEFA-s. Ndeshja përfundoi 1:1, kurse paraqitja e “dardanëve” është vlerësuar e zbehtë.
Është pritur fitore e Kosovës ndaj Moldavisë, që ishte në seri prej tetë humbjeve. Të gjitha gjërat shkonin në favor të Kosovës, por në fund rezultati ishte vetëm 1:1.
Kështu Kosova ka vazhduar serinë e barazimeve në ndeshjet me të cilat fillon kampanjat. Të gjitha ciklet eliminatore të Kosovës kanë nisur me barazime, shkruan KOHA.
Madje baras kishte përfunduar edhe ndeshja e parë zyrtare miqësore e Kosovës. Në fillim të vitit 2014, FIFA kishte dhënë leje që Kosova të luante miqësore. Më 5 mars të vitit 2014, në Mitrovicë, Kosova u takua me Haitin. Ndeshja përfundoi pa gola, 0:0.
Paraqitja e Kosovës në atë ndeshje historike ishte vlerësuar lart. Por golat munguan.
Në vitin 2016, Kosova u pranua në UEFA dhe FIFA dhe nisi edhe me ndeshje kualifikuese. Ndeshjen e parë kualifikuese e luajti në Turku ndaj Finlandës. Ajo sfidë e 5 shtatorit të vitit 2016 përfundoi 1:1. Prapë Kosova u paraqit pozitivisht, por mori vetëm barazim. Valon Berisha kishte shënuar golin e barazimit për Kosovën në minutën e 60-të. Ai kishte realizuar nga penalltia. Ishte shpresuar se do të ishte fillimi i një epoke të suksesshme të Kosovës. Por doli ndryshe. Kosova më pas rreshtoi nëntë humbje në atë cikël eliminator.
“E kam pasur ëndërr të shënoj për Kosovën. Mixha më ka thënë të jap golin e parë për Kosovën dhe e kam marrë penalltinë e kam shënuar. Synimi ynë ka qenë të luajmë lojë sa më të mirë. Strategjia ka qenë të jemi të fortë në mbrojtje e më pas të godasim me kundërsulme. Por kemi parë që nëse u bëjmë presion, atëherë finlandezët bien në panik. Jam i emocionuar dhe i falënderoj të gjithë adhuruesit. Kemi luajtur lojë shumë të mirë, kemi treguar zemër”, kishte theksuar Valon Berisha.
Ai vazhdon të jetë lojtar i rëndësishëm te Kosova. Të enjten asistoi në golin e Benjamin Kolollit.