Kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj ka folur për deklaratat e nënkryetarit të LDK-së, Lutfi Haziri, lidhur me shkëmbimin e territoreve me Serbinë, ku përmendet Lugina e Preshevës dhe 17 fshatra të veriut bashkë me Leposaviqin.
Haradinaj ka paralajmëruar LDK-në, duke thënë se për AAK-në në një situatë të tillë me këto deklarata, nuk është më në interes t’i jap legjitimitet kësaj qeverie.
Sipas tij, këto forca politike s’kanë treguar qëndrueshmëri në tema të interesit nacional.
“Pastaj, e dëgjojmë nënkryetarin e parë ose të dytin të LDK-së zotin (Lutfi) Haziri kur flet hapur e publikisht se duhet ta japim Leposaviqin e 18 fshatra. Duke qenë kështu, për ne nuk është më interes t’i japim legjitimitet një qeverie dhe institucioneve të vendit vetëm pse kemi pak pushtet dhe nuk kemi vendimmarrje, e ne pastaj të bëhemi pjesëmarrës të vendimeve të këtyre forcave politike – me respekt për shumicën prej tyre – por, që kanë dhënë prova paqëndrueshmërie në tema të interesit nacional”, ka thënë Haradinaj në një intervistë për REL.
Ai ka folur edhe për hyrjen e PDK-së në qeveri, teksa ka deklaruar se nëse kjo ndodhë, ndërpritet varshmëria nga Lista Serbe.
“Mirëpo, këtu ndodh një ndryshim. E vërteta është se me ardhjen e PDK-së në qeverisje, ndërpritet ajo varshmëria ose varësia e kësaj qeverie edhe nga Lista Serbe, mirëpo edhe ne humbim një rol vendimtar që kishim, ta quaj ashtu, në dëgjimin e zërit tonë për vendimet për interesin nacional”, ka thënë Haradinaj.