Përplasje mes Kurtit e Haradinajt: Dëshironit të bëheni president, por presidente është Vjosa Osmani – ky njeri është mashtrues

Kryeministri Albin Kurti është përplasur me kryetarin e AAK-së, Ramush Haradinaj në seancën e sotme plenare në Kuvend, ku po debatohet për dialogun.

Në foltoren e Kuvendit, kreu qeveritar tha se nuk mund të pranojë leksione nga Haradinaj, kur ky i fundit sa ka qenë kryeministër dialogun ia ka lënë ish-presidentit në kohën kur ka lulëzuar ideja e shkëmbimit territorial dhe ka krijuar delegacion teknik.

Kurti ia ka përkujtuar Haradinajt edhe ambiciet e tij për t’u bërë president, por ka nënvizuar se tashmë presidente është Vjosa Osmani me 300 mijë vota në popull dhe shumicën e nevojshme në Kuvend.

“Ju deputeti Haradinaj keni qenë kryeministër, dialogun ia keni lënë ish presidentit, kur lulëzoj projekti i shkëmbit territorial. Çka bëtë ju, na keni krijuar një grup super teknik në krye me Fatmir Limajn dhe Shpend Ahmetin. A ju kujtohet ? Ja çfarë grupi keni bërë ju. Dhatë dorëheqje sepse ju intervistuan në Hagë dhe mandej dëshironit të bëheni president. Presidente është Vjosa Osmani-Sadriu, 300 mijë vota në popullin e Kosovës dhe 82 këtu në Kuvend. Pra nuk mund t’iu marr si dikush që e keni sinqerisht dhe seriozisht. Keni qenë kryeministër, ia dhatë Malit të Zi 8200 hektarë, më herët i keni marrë 200 për veti. Aman na kurseni tash nga leksionet”, tha Kurti .

I menjëhershëm ka qenë reagimi i Haradinajt, i cili ka vazhduar ta quaj mashtrues kryeministrin Kurti.

“Këtu e pamë ma të mirin mashtrues të mundshëm. Ky njeri është mashtrues profesionist, edhe bravo i koftë qysh po mundet me mashtru. Unë e kam sjell një çështje shumë të thjesht në parlament për këtë njeri që është kryeministër. Unë po e pyes mos t’i mëshon mjegull, por a dëshiron të dërgosh teknikun tonë në Bruksel, çka i sjell Kosovës me këtë qasje…8200 hektarë të Malit të Zi nuk janë dhënë t’i mashtrues masi je kryeministër shko nxjerri i ki 80 vota, rrëzo atë ligj nëse dëshiron dhe guxon me rrëzuar”, theksoi Haradinaj.