Përplasen Haradinaj e Konjufca, “A jeni njerëz a çka jeni? Marre me ju ardh”, “Kuvendi ka rregulla”

Deputeti i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka reaguar ashpër në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës, pas fjalimit të deputetit të LVV-së, Armend Muja për Projektligjin për pagën minimale.

Haradinaj u shpreh i mllefosur me Mujën, por edhe me kryeparlamentarin Glauk Konjufca dhe deputetë të tjerë të VV-së.

Ai e quajti turp të madh që njerëzit e zgjedhur të popullit kanë arritur në këtë shkallë të mashtrimit.

“Si keni mbërritur në këtë shkallë të mashtrimit, si me ia pru vetes, parlamentit këtë? Është turp për ty Glauk Konjufca, është turp për Gani Krasniqin, Fatmir Humollin e krejt të tjerët, duhet me ju ardh marre çka jeni tu ba. Nuk keni me kalu këtë ligj se po doni me ba lojë. Hekne këtë ligj mos luani me këto sene. Marre duhet me ju ardh për 35-40 euro të veteranëve me pru këtë diskutim”, tha Haradinaj, duke shtuar se “ndaluni sa nuk është bë më keq, më mirë është mu nal sot”.

Pas kësaj ka reaguar kryeparlamentari Glauk Konjufca i cili ju drejtua deputetit të AAK-së se “z.Haradinaj ky është Kuvend edhe vetë ke qenë kryeministër, e kuptoni që Kuvendi i ka rregullat e veta. Ruani qetësinë nëse ka mundësi”.

Konjufca tutje ka shtuar se këtu flasim me argumente, asgjë nuk shkon me zor.

“Duhet të respektojmë Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës”, tha Konjufca.