Përparim Rama i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), sot, e martë, do të marrë detyrën e të parit të Komunës së Prishtinës.
Mbledhja inauguruese ku pritet të bëhet betimi i anëtarëve të Kuvendit Komunal të Prishtinës dhe betimi i kryetarit Rama do të nisë në ora 10:00.
Pas përfundimit të kësaj mbledhje inauguruese do të bëhet pranim-dorëzimi ceremonial i detyrës së kryetarit të Prishtinës, nga Shpend Ahmeti te Përparim Rama.
Rama fitoi zgjedhjet në Prishtinë në rundin e dytë, atë të balotazhit, duke e përmbysur rezultatin nga rundi i parë kur doli i dyti pas Arben Vitisë së Vetëvendosjes.
Një ditë para dorëzimit të detyrës, kryetari i deritashëm, Shpend Ahmeti, ka përmbledhur rrugëtimin e tij në krye të Prishtinës duke thënë se “në Prishtinë është përmirësuar dukshëm jeta në qytet”.