Organizata e Veteranëve të Luftës dhe disa parti politike e shoqëri civile, protestuan dje, lidhur me pakënaqësitë e tyre ndaj vendimeve të Qeverisë.
Kësaj proteste e cila anise nuk zgjati shumë, iu bashkuan qytetarë nga vende të ndryshme të Kosovës.
Protesta e zhvilluar pasi veteranët nuk u përfshinë në Ligjin e pagës minimale, që u votua nga Qeveria e Kosovës, përfundoi e qetë.
Megjithatë kjo nuk ishte hera e vetme që veteranët protestonin, njofton Klankosova.tv.
Organizatat e dala nga lufta e UÇK-së kanë protestuar edhe në qershor të vitit të kaluar kundër projektligjit për pagën minimale, ku nuk ishte përfshirë kjo kategori e luftës.
Vitin e kaluar ata u mblodhën para ndërtesës së Kuvendit, ku ushtruesi i detyrës së kryetarit të Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës Faton Klinaku, ishte shprehur se këto protesta do të vazhdojnë saherë që mbahen seanca.
Veteranët protesta kishin organizuar edhe në korrik të vitit 2020, këto protesta ishin mbajtur në disa komunat e vendit në shenjë kundërshtimi ndaj propozim-aktakuzës së Gjykatës Speciale ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli.
Por, për shkak të situatës së atëhershme me koronavirus, protesta ishte mbajtur duke respektuar rekomandimet e Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik, teksa ishte paraparë të jetë me nga 99 persona në çdo qytet duke respektuar distancën sociale.
Para Qeverisë së Kosovës, veteranët ishin mbledhur edhe në shtator të vitit 2018.
Aso kohe ata paralajmëronin se nuk do t’i ndalnin protestat e tyre pa u pastruar, siç shpreheshin ata, listat e veteranëve mashtrues.
Ndërkaq, në shtator të vitit 2015, veteranët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës protestuan për të kundërshtuar vendimin e qeverisë së asaj kohe, më të cilin parashihej që veteranët nën moshën 35-vjeçare të paguhen vetëm 130 euro, kurse ata mbi këtë moshë 170 euro.
Sipas tyre, ata ishin pajtuar me Qeverinë që pagesa të jetë rreth 220 euro, ndërsa, vendimin e Qeverisë e patën cilësuar si të turpshëm.