Përmbyllet i gjithë procesi i liberalizimit të vizave

Vendimi për liberalizimin e vizave për Kosovën u botua të martën në Gazetën Zyrtare të Bashkimit Evropian.

Me këtë veprim përmbyllet edhe formalisht i gjithë procesi i liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës.

Vendimi pritet të hyjë në fuqi më 1 janar të vitit 2024 – prej kur qytetarët e Kosovës që posedojnë pasaporta biometrike të lëshuara nga shteti i Kosovës, do të mund të udhëtojnë pa viza në atë që njihet si zona Schengen dhe përbëhet prej 27 shtetesh evropiane.

Vendimi i botuar në Gazetën Zyrtare të BE-së është ai që u nënshkrua më 19 prill nga përfaqësuesit e Parlamentit Evropian dhe ata të Këshillit të BE-së. 

Në vendim shkruan se “përjashtimi nga nevoja për viza”, pra liberalizimi, nuk mund të zbatohet para nisjes operacionale të sistemit të udhëtimit në Evropë – ETIAS, apo deri më 1 janar, 2024.

Kjo do të thotë se, nëse funksionalizimi i ETIAS-it shtyhet përtej 1 janarit, 2024 – gjë që edhe pritet të ndodhë – hyrja në fuqi e liberalizimit nuk do të shtyhet përtej asaj date.

ETIAS do të mundësojë verifikimin e të dhënave të qytetarëve të vendeve të treta – që nuk nevojë për vizë – përpara se të hyjnë në zonën Schengen.


Libralizimi i vizave mundëson udhëtime pa viza vetëm deri në 90 ditë – brenda gjashtë muajsh – në cilindo nga shtetet anëtare të zonës Schengen.

Udhëtimet pa viza duhet të shërbejnë për vizita turistike, çështje familjare ose të ngjashme, dhe në asnjë rast nuk nënkuptojnë leje pune ose përfitime të tjera.

Komisioni Evropian ka sqaruar tashmë se edhe pas liberalizimit të vizave, bartësit e pasaportave të Kosovës nuk do të mund të udhëtojnë në Spanjë – vend që nuk e njeh as pavarësinë e Kosovës, as pasaportat e saj.

Edhe pse vendimi për liberalizim vlen për të gjitha vendet e Schengenit, njohja e pasaportave është kompetencë e vendeve anëtare – në këtë rast Spanjës.

Komisioni Evropian ka sqaruar, po ashtu, se liberalizimi i vizave vlen vetëm për poseduesit e pasaportës së Kosovës, por jo edhe për ata shtetas të Kosovës që kanë pasaporta të lëshuara nga autoritetet serbe.

Kosova mbetet vendi i vetëm në Ballkanin Perëndimor, qytetarët e të cilit nuk mund të lëvizin ende lirshëm në zonën Schengen.

Kjo, me gjithë faktin se Komisioni Evropian, qysh në vitin 2018, ka konfirmuar disa herë se Kosova i ka përmbushur të gjitha kushtet për liberalizimin e vizave, por kanë qenë disa vende anëtare që vazhdimisht kanë shprehur rezerva.