Një person ka vdekur pasi u ther me thikë mbrëmë rreth orës 22:00 në Hajvali të Prishtinës.
Lajmin për Gazetën Insajderin e ka konfirmuar edhe zëdhënësja e Policisë së Kosovës për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti.
Ajo bëri të ditur se lidhur me këtë rast janë arrestuar tre persona të dyshuar, ndërkohë që hetuesit policor kanë nisur një hetim lidhur me rrethanat e këtij rasti.
“Është raportuar se pas një incidenti të ndodhur mes tre personave të dyshuar meshkuj kosovarë dhe viktimës mashkull kosovar, ky i fundit dyshohet se është sulmuar me thikë dhe si pasojë e lëndimeve të rënda ka ndërruar jetë në QKUK. Tre të dyshuarit janë arrestuar dhe me urdhër të prokurorit janë dërguar në mbajtje kurse trupi i pajetë i viktimës është dërguar në Institutin e mjekësisë Ligjore për obduksion”, thuhet në përgjigjen e Ahmetit dhënë Insajderit.