Përleshje me armë në Milloshevë, një i plagosur dërgohet në QKUK

Një përleshje me armë ka ndodhur në Balshaj të Milloshevës, derisa një person ka mbetur i plagosur dhe është dërguar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.

Rastin për lajmi.net e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Bajram Krasniqi.

“Në ora 20:55, policia është njoftuar për një rast plagosje në rrugën nacionale Prishtinë-Mitrovicë, në fshatin Milloshevë, në një pikë karburanti.”, tha Krasniqi për lajmi.net.

Më tutje, Krasniqi ka sqaruar se rasti ka ndodhur ndërmjet 5 personave, klientë të një pike të karburantit.

Një person i plagosur është dërguar në QKUK, derisa policia po e ekzaminon vendin e ngjarjes.

“Dy persona (klientë) janë sulmuar nga tre të tjerë që kanë ardhur aty, fillimisht ka pasur një rrahje e më pas është përdorur arma. Një person është plagosur dhe nisur për në QKUK-në. Policia ka dal në vend-ngjarje dhe po egzaminon vend-ngjarjen”, tha Krasniqi për lajmi.net.

Nuk dihet ende lidhur me gjendjen e të plagosurit.