Përgatitjet VV-së për zgjedhjen e presidentit, detajet më të fundit

Lëvizja Vetëvendosje (LVV) po pret që sot të mbajë seancën për votimin e presidentit të vendit, duke grumbulluar kështu nënshkrimet e nevojshme.

Burime të Demokracia.com brenda Kuvendit të Kosovës kanë thënë se VV që nga mëngjesi i së premtes ka nisur përpjekjet që seanca të mbahet në po këtë ditë.

“VV kanë inicuar sot një projektligj urgjent për amendamentimin e Ligjit për zgjedhjet e përgjithshme dhe kjo në Kuvendin e Kosovës është interpretuar si mënyrë për të matur disponimin dhe forcën politike në Kuvend”, ka bërë të ditur ky burim.

Megjithatë, Kryesia e Kuvendit ende nuk ka marrë një vendim lidhur me këtë çështje, raporton Demokracia.com.

Ndërkaq, dihet që Vjosa Osmani është kandidate e propozuar nga kjo parti për kryetare të shtetit, kurse deri tani, nuk ka një kundërkandidat në këtë garë.

VV gjithashtu duhet të sigurohet që do të jenë së paku dy kandidatë për President pasi kjo është kusht për zgjedhjen e Presidentit.