Përfundon takmi i kryesisë së LDK-së: Haziri premton rol konstruktiv të LDK-së në zgjedhjen e presidentit

Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri, ka folur para mediave pas përfundimit të mbledhjes së kryesisë së kësaj partie.

Në mbledhjen e LDK-së e cila zgjati rreth dy orë është diskutuar nëse kjo parti do të votojë për apo kundër zgjedhjes së Vjosa Osmanit presidente. 

Ndonëse tha se tashmë një vendim i tillë është i zbardhur, Haziri refuzoi të tregojë se cila do të jetë vota e LDK-së për Osmanin, ose nëse kjo parti do të marrë pjesë në votim. 

Ai tha se kryesia e këtij subjekti politik do të takohet nesër me grupin parlamentar të LDK-së, me të cilët do të diskutohet vendimi për çështjen e votimit të presidentit. 

“Kryetari i LDK-së dhe këshilli do të takohet me grupin e deputetëve. Ne do të punojmë që të dalim unanim dhe të krijojmë kulturë të unitetit të brendshëm. Nesër do të bisedojmë me deputetët. Nesër si grup politik, kryetari me nënkryetarin, do të takohet me deputetët për të diskutuar me deputetët për vendimin që tani veçse është zbardhur”, tha ai para gazetarëve. 

Haziri tha se kryesia e LDK-së nuk do të mblidhet më për të diskutuar për këtë çështje, pasi që tha se janë shteruar të gjitha arsyet për një gjë të tillë.

“Nesër do të takohemi me të gjithë deputetët. Do të vazhdojmë diskutimet me deputetët në mënyrë që qëndrimi i LDK-së të jetë në frymë me kushtetutën”.

Haziri thotë se nuk do të flasin me partitë tjerë për këtë temë e as me Vjosa Osmanin.

“Ne do të punojmë që të dalim unanim në këtë çështje. Nesër do të bisedojmë me deputetët pasi ata kanë edhe përgjegjësi institucionale”.