Përfundon seanca ndaj tre të dyshuarve për vrasjet në Deçan, prokuroria jep detaje

Prokurorja e rastit ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit për tre personat e arrestuar si të dyshuar për vrasjen e trefishtë në Deçan.

Lajmin e ka konfirmuar para mediave zëdhënësi i Prokurorisë Themelore të Pejës, Shkodran Nikçi pas përfundimit të seancës.

“Prokurorja e çështjes brenda afatit ligjor ka parashtruar kërkesën e caktimit të masës së paraburgimit dhe këtë kërkesë e ka elaboruar sot në seancën e procedurës paraprake dhe shpresojmë që gjyqtari ta marrë vendimin”, tha ai.

Nikçi sot në një prononcim për Demokracia.com ka thënë se për shkak të ndjeshmërisë së rastit, nuk mund të japin më shumë detaje.

“Përveç asaj që është thënë mbrëmë në konferencë nga kryeprokurori nuk mund t’iu konfirmoj dhe t’iu jap detaje asgjë më tepër për shkak të ndjeshmërisë së rastit”, ka thënë ai.

Ndryshe, policia e Kosovës të shtunën ka arrestuar tre persona, Halil Mehmetaj dhe dy djemtë e tij, Kreshnik e Malsor Mehmetaj, për vrasjen e trefishtë në Gllogjan të Deçanit, e cila ndodhi më 26 nëntor të këtij viti.

Siç u raportua në media, motivi i vrasjes së trefishtë dyshohet të jetë hakmarrja për vetëvrasjen e 20-vjeçares nga Gllogjani, Heroina Mehmetajt, motrës së të dyshuarve, e cila i dha fund jetës së saj më 14 qershor 2020, duke u varur me litar, përcjell Demokracia.com.

Vrasja e trefishtë që ndodhi në Deçan po cilësohet si një prej ngjarjeve më të rënda që ka ndodhur në vend.

Përveç shoferit, i cili dyshohet të ketë qenë cak i të dyshuarve, mbetën të vdekur edhe dy nxënës 17-vjeçarë të cilët po udhëtonin me autobus në momentin kur ndodhi sulmi.