Takimi mes përfaqësuesve të Sindikatës së Bashkuar të Arsimit (SBASHK) dhe dy ministrive të Qeverisë së Kosovës, Ministrisë së Arsimit dhe Financave ka përfunduar pa arritur ndonjë marrëveshje për ndërprerjen e grevës në arsim, e cila është futur në javën e katërt.
Por, kryetari i këtij Komisioni, Ardian Gola gjatë diskutimit të tij i dha një propozim përfaqësuesve të SBASHK-ut, në mënyrë që fëmijët t’i kthehen bankave shkollore.
Gola tha se në mënyrë që të fëmijët të mos dëmtohen dhe të filloj mësimi, dha si ide që SBASHK-u të përdorë metodën e mos vënies së notave, si formë presioni sindikal ndaj qeverisë.
“Është e vërtetë që është problem ta gjejmë një zgjidhje. Argumenti shkencor i profesorit Kokaj është jetik. A kishim mundur për në vend të fëmijëve me i marr notat, dhe me bo si presion sindikal. Mos me vendos nota, mos me formalizu dijen e cila transmetohet tek fëmijët, deri në momentin që do të bëhet një zgjidhje. Jam shumë i sigurt që zgjidhje në këtë forum në këtë masë të njerëzve është problem me gjet zgjidhje”, ka thënë Gola, raporton Telegrafi.Reklama
Sipas tij, kjo formë do të ishte më e drejtë, duke shtuar se do të jetë me SBASHK-un deri në arritjen e kërkesave të tyre, nëse do ta aplikojnë këtë formë të presionit sindikal.
“Mos më jepni përgjigje tash, ju kisha lut si prind dhe mësimdhënës që deri sa të arrihet një marrëveshje, që fëmijët t’i kthejmë në proces mësimor, dhe mos t’ua vendosim notat dhe ditëve në vijim të intensifikojmë qeverinë me sindikata dhe gjatë kohës pashmangshëm do i afrohemi një zgjidhje. T’i përdorim notat si formë të presionit sindikal”, tha ndër të tjera Gola.
Sekretari i SBASHK-ut, Ymer Ymeri, i tha Golës se këtë kërkesë do ta dërgojnë në anëtarësi si dhe i premtoi që edhe ai do të jetë i ftuar në momentin kur do të ia komunikojnë kërkesën e tij.