Në Bruksel ka përfunduar rundi i dytë i bisedimeve trepalëshe midis liderëve të Kosovës dhe Serbisë, Albin Kurti dhe Aleksandar Vuçiq, me ndërmjetësimin e përfaqësuesve të Bashkimit Evropian.
Paraprakisht, pas rundit të parë, shefi i diplomacisë së BE-së, Josep Borrell, dhe i dërguari i posaçëm i BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak, kanë biseduar ndaras me Kurtin dhe Vuçiqin.
Presidenti i Serbisë u largua nga ndërtesa e BE-së pa iu drejtuar mediave, ndërsa shefi i Zyrës së Qeverisë së Serbisë për Kosovën, Petar Petkoviq, u tha gazetarëve se Vuçiq do të qëndrojë në Bruksel edhe për një kohë dhe se do t’i drejtohet publikut të premten, më 19 gusht, raporton Rel.
“Ajo që është e rëndësishme është që ne luftuam për paqe, për stabilitet, për zgjidhje kompromisi”, tha Petkoviq.
Kjo ishte hera e parë që brenda një dite u mbajtën dy takime trepalëshe në kuadër të dialogut për normalizimin e raporteve midis Prishtinës dhe Beogradit.
Rundi i parë i takimit trepalësh u mbajt pak pas orës 10:30, dhe ky rund u pasua me takime të ndara të delegacioneve me zyrtarët e BE-së.
Në ndërtesën e BE-së ku është zhvilluar dialogu ka qëndruar edhe i dërguari i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.
Kujtojmë se pala amerikane nuk merr pjesë në dialog, por SHBA-ja mbështet plotësisht përpjekjet e BE-së në procesin e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës.
Ky ishte takimi i tretë midis Kurtit dhe Vuçiqit në Bruksel, pasi në qershor dhe korrik të vitit 2021, dy takimet kishin përfunduar pa ndonjë rezultat.