Studimet e reja sugjerojnë se konsumimi i qullit me drithëra apo tërshërë për mëngjes mund të ndihmojë në rritjen e jetëgjatësisë.
Sipas dietologëve nga Universiteti i Kalifornisë, ngrënia e mëngjesit rregullisht ka treguar se ndihmon në uljen e rrezikut për zhvillimin e diabetit tip 2, sëmundjeve kardiovaskulare dhe obesitetit.
Ka gjithashtu prova që një mëngjes i shëndetshëm ndihmon në funksionimin e trurit, veçanërisht në kujtesë dhe përqendrim, ka raportuar Fox News.
Së fundmi një studim i botuar në “American Journal of Lifestyle Medicine” zbuloi se një grua 105-vjeçare, pjesë e grupit të testuar, kishte zakon që çdo mëngjes të hante qull me tërshërë.
Sipas doktorit Mike Sevilla, nga Ohio, ky zakon ndihmon për një jetë të gjatë dhe të shëndetshme.
Sevilla gjithashtu ka kujtuar se në një studim të vitit 2013 në “Journal of the American Medical Association”, ishte konstatuar se ata që përfshinin qullin me tërshërë në përditshmëri kishin ulje të nivelit të vdekjes së parakohshme.
Hulumtime të tjera kanë treguar se ky qull mund t’i ulë nivelet e yndyrës së pashëndetshme dhe të përmirësojë nivelet e sheqerit në gjak, duke reduktuar kështu mundësinë për zhvillimin e sëmundjeve të zemrës dhe diabetit.
Qulli me tërshërë është i lehtë për t’u përgatitur, i përballueshëm dhe mund të personalizohet sipas shijeve personale duke i shtuar fruta, arra, fara dhe erëza për ta bërë më të shijshëm dhe më të shëndetshëm.
Ja disa nga përfitimet shëndetësore që ofron ky qull:
Përfitime për zemrën dhe diabetin: Qulli me tërshërë ndihmon në uljen e kolesterinës dhe përmirëson kontrollin e insulinës, që ndihmon në stabilizimin e niveleve të sheqerit në gjak.
Përfitime për sistemin imunitar: Drithërat përmbajnë minerale si selen që ndihmojnë në forcimin e qelizave të bardha të gjakut, duke përmirësuar kështu luftën ndaj infeksioneve dhe sëmundjeve.
Përfitime për tretjen: Qulli me tërshërë është një burim i shkëlqyer i fibrave të tretshme që ndihmojnë në ngadalësimin e tretjes, rritjen e baktereve të mira në zorrë dhe ndihmojnë në rregullimin e niveleve të sheqerit në gjak.
Lëndë ushqyese: Qulli është i pasur me vitamina dhe minerale si hekuri, zinku, fosfori, magnezi dhe folatet, të cilat janë të dobishme për shëndetin e përgjithshëm.
Megjithatë, edhe pse qulli me tërshërë është një zgjedhje e shkëlqyer për mëngjes, ekspertët sugjerojnë të bëhet kujdes me sasinë dhe llojin që konsumohet.
“Është e rëndësishme të mos e konsumoni atë vetëm, por ta kombinojmë me proteina, si arra apo proteina pluhur”, ka thënë dietologia Brittany Kingry.
Personat me diabet duhet të kenë kujdes me konsumimin e tërshërës për shkak të sasisë së lartë të karbohidrateve.
Në këto raste konsumimi i proteinave mund të jetë një opsion më i mirë për mëngjes.
Kingry sugjeron të shmanget konsumimi i tërshërës së përpunuar e që përmban sheqer të shtuar ose ëmbëltues.
“Gjithmonë merrni tërshërë të thjeshtë, të grirë për të kufizuar përmbajtjen e sheqerit. Për ata që kërkojnë opsione pa gluten, është e rëndësishme të kontrolloni etiketat për markat që janë të certifikuara pa gluten”, ka thënë dietologia.