Alban Kastrati, përfaqësues i “Sunny Hill” tha se ata janë pala më e palumtur për dështimin e mbajtjes së festivalit në Prishtinë.
Në një lidhje direkte në #Gjesi në T7, Kastrati u pyet edhe për deklaratën e ministrit të Kulturës, Hajrulla Çeku, i cili tha se pati presion ndaj Qeverisë për të marrë vendim, dhe kjo sipas tij ka vështirësuar gjithçka.
“Absolutisht e pasaktë sepse ne prej fillimit kemi diskutu me Qeverinë”, tha Kastrati.
“Ne në vitin 2019 kemi zhvillu bisedime për caktimin e një hapësire për festivalin… Kemi zhvillu diskutimet dhe është identifiku një hapësirë nga Komuna e Prishtinës në atë kohë”, tha ai.
Kastrati tha se i kishin treguar Qeverisë “që nevoja për procedimin e këtij procesi është e madhe. Ai tha se “edhe tani kur po flasim nuk ka vendim”.
Sipas tij, ka qenë e pamundur që të pritet edhe më tutje për një vendim nga Qeveria.
“Në këtë situatë ka qenë e pamundur me pritë më shumë”, tha ai.
Kastrati tha se “ne kemi dashtë me qëndru në Prishtinë”
Ai përmendi “betejat mes partive politike” që tha se u bënë në kurriz të këtij festivali.
“Definitivisht jemi pala më e palumtur në proces sepse betejat kanë filluar mes partive politike në kurriz të festivalit”, tha Kastrati.
Edhe tani që është njoftuar zyrtarisht se festivali është zhvendosur në Tiranë, Kastrati nuk heziton të thotë se do të donin të mbahej në Prishtinë.
“Natyrisht që kishim pasë dëshirë që ky festival të mbahej në Prishtinë”, tha ai.
Kastrati tregoi se është paraparë “rekord i pjesëmarrjes” e edhe “rekord i akreditimit të mediave ndërkombëtare që kanë pasur të vijnë në Prishtinë”.
Supozimet se Dukagjin Lipa mund të ishte marrë vesh paraprakisht me kryebashkiakun e Tiranës, Erion Veliaj për mbajtjen e festivalit atje, Kastrati i quajti konspiracione.
“Ajo është një konspiracion shumë i çuditshëm sepse Dugi dhe kryetari i Tiranës njihen moti. Mund të ketë diskutime të rastit”, tha ai.
Kastrati siguroi ata që nuk duan të shkojnë në Tiranë për festivalin se do të kompensohen plotësisht për paratë e shpenzuara në blerjen e biletave.