Një studim i ri i kryer nga studiueist e “Mass General Brigham”, “Shkolla e Shëndetit Publik” e Harvard T.H. Chan, ka treguar se zëvendësimi i gjalpit me vajra bimore mund të ofrojë përfitime të mëdha për shëndetin, përfshirë uljen e rrezikut nga vdekja e parakohshme, ka raportuat SciTechDaily.
Ky studim ka analizuar zakonet ushqimore të më shumë se 200,000 individëve gjatë 30 vjetëve dhe ka zbuluar se dieta e pasur me gjalpë, por e varfër në vajra bimore, është e lidhur me rrezik më të lartë të vdekshmërisë.
Nga ana tjetër, konsumimi i vajrave bimore, sidomos vajit të sojës, vajit të kanolës dhe vajit të ullirit, është e lidhur me uljen e vdekjeve të parakohshme, si dhe vdekjeve nga kanceri dhe sëmundjet kardiovaskulare.
Përfitimet e shëndetit nga zëvendësimi i gjalpit me vajra bimore
“Është befasuese shkalla e lidhjes që gjetëm – ne vërejtëm ulje prej 17% të rrezikut të vdekjes së parakohshme kur modeli i dietës përfshinte zëvendësimin e gjalpit me vajra bimore në dietën e përditshme. Ky është efekt shumë i madh për shëndetin”, ka thënë autori kryesor i studimit, Yu Zhang, nga Shkollën e Shëndetit Publik në Harvard.
Ndryshimi kyç mes gjalpit dhe vajrave është lloji i acideve yndyrore që ato përmbajnë. Gjalpi është i pasur me acide yndyrore të ngopura, ndërsa vajrat bimore kanë më shumë acide yndyrore të pangopura. Studimi ka analizuar të dhënat e dietës nga 221,054 pjesëmarrësve në “Nurses’ Health Study, Nurses’ Health Study II” dhe “Health Professionals Follow-up Study”. Çdo katër vjet, ata përgjigjeshin në pyetje se sa shpesh konsumonin lloje të ndryshme ushqimesh.
Ndryshimi i thjeshtë në dietë mund të sjellë përfitime të mëdha shëndetësore
“Një ndryshim i thjeshtë në dietë – zëvendësimi i gjalpit me vajra bimore si ai i sojës ose i ullirit – mund të sjellë përfitime të mëdha shëndetësore afatgjata”, ka thënë Daniel Wang, bashkëautor i studimit dhe profesor asistent në Departamentin e Ushqimit në Harvard Chan School.
Zëvendësimi i 10 gramëve gjalpë në ditë (më pak se një lugë gjelle) me kalori të barabarta nga vajrat bimore mund të ulë vdekshmërinë nga kanceri dhe vdekjet e parakohsme në përgjithësi me 17%, kanë zbuluar studiuesit.
“Edhe reduktimi i pakët i gjalpit dhe përfshirja e më shumë vajrave bimore në dietën tuaj të përditshme mund të sjellë përfitime të rëndësishme afatgjata për shëndetin”, ka shtuar Wang.
Sipas studiuesve, hulumtimi që bënë ka pasur disa kufizime pasi shumica e pjesëmarrësve ishin profesioniste shëndetësorë.
“Kufizim i këtij studimi është se pjesëmarrësit ishin kryesisht profesionistë shëndetësorë, kështu që ata mund të mos përfaqësojnë të gjithë popullatën amerikane”, kanë theksuar studiuesit.
Ata synojnë të studiojnë mekanizmat biologjikë që qëndrojnë pas këtij ndryshimi të dietës dhe se pse ajo ka ndikim të madh.