Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, gjatë ditës së shtunë bëri disa deklarime që nxitën reagime të shumta.
Deklarata e Sveçlës u cilësua e rrezikshme nga opozita dhe Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK), ai lidhi protestën e veteranëve që do të mbahet të shtunë (sot) me “luftën hibride të Serbisë” dhe protestat që po mbahen në Serbi“Serbia kundër dhunës”.
Sipas tij, protesta e veteranëve është e “çuditshme” dhe pretendoi se kjo protestë po organizohet nga gazetarët, Berat Buxhala dhe Vehbi Kajtazi.
“Është e çuditshme se si qëlloi që protesta të jetë e organizuar të shtunën, kohën e njëjtë me protestën në Beograd që atje po organizohet kundër Vuçiqit. Është edhe më e çuditshme që këtë protestë e kanë thirrur Berat Buzhala e Vehbi Kajtazi në emër të mbrojtjes së vlerave të UÇK-së, kur të gjithë i dijnë deklaratat e tyre publike se UÇK-ja ka kryer krime lufte në Kosovë. Mbetet të shihet sot nëse qytetarët e Republikës së Kosovës do të ruajnë dinjitetin personal dhe pozicionin e shtetit, apo do të bien në këtë grackë të luftës hibride të Serbisë”, ka shkruar Svelça në Facebook.
Ndërkaq, më tej Sveçla aludonte se audio-incizimet e shefes së Grupit Parlamentar me përfaqësuesin e Listës Serbe Slavko Simiq gjetën rrugën për t’u publikuar nga një gazetë në Kosovë nga dora e vetë Vuçiqit.
“Biseda të zhvilluara në Kuvend, të cilat Lista Serbe i kishte incizuar dhe incizimet ia kishte dorëzuar Vuçiqit, nga dora e Vuçiqit gjetën rrugën e tyre për t’u publikuar në një media në Kosovë”, ka theksuar Sveçla.
Buzhala ka mohuar se një audio i tillë i erdhi nga shteti serb. Gjersa thekson se atë e morri nga miqtë e Kosovës, Buzhala thotë se Qeveria po e mbron Kusari-Lilën, Radojçiqin por jo edhe veteranin.
“Materialin ku dëgjohet Mimoza Kusari tuj folë me Sllavko Simicin, ku Mimoza e konfirmon biseden me Milanin, e kam marre ne Prishtine prej miqve te Kosoves”, ka shkruar Buzhala nç Facebook.
Nga ana tjetër, ndonëse me reagime të shkurta, reagoi edhe gazetari Kajtazi.
Gjersa e konsideron si “të padijshëm”, me ironi, Kajtazi i drejtohet Sveçlës edhe me një mesazh.
“Xhelal, une nuk kam fol me Radojiçiqin por ju. Une nuk financohem prej Serbise nepermjet Martin Berishajt, por ju. Une nuk i kam plagos policet deri ne verbim, por ju.Te dua, keshtu siç je, dmth totalisht i pa dijshem!”, ka shkruar ai. “Ta ha zemren Xhelal! Dije qe kurrkush nuk i godet policet me tulle sikur ti. Mpuq”, ka shkruar Kajtazi.
Reagimi i opozitës
E këto deklarime të Sveçlës, kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku i quajti “maskaradë” nga ana e Sveçlës. Njëherit, “të pamatur” e “nxitëse”.
“Deklaratë e pamatur, nxitëse e ofenduese e Ministrit të Punëve të Brendshme. Etiketimi i pabazë i gazetarëve e ofendimi i turpshëm i luftëtarëve – edhe nëse s’pajtohemi me ta – është nivel i ri i ulët i politikëbërjes në Republikë. Të injorosh komunikimin e shefes së partisë me një terrorist, e të ndërtosh gjuhë nxitëse e përplasëse me plot imagjinatë është maskaradë. Kjo gjuhë, e dhënë tani, kërkon përplasje. Kërkon dhunë e kërkon krizë. Duket se mendja e pushtetit është mu në dhunë e krizë”, ka shkruar ai.
Një reagim nuk mungoi as nga ana e Kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi.
Gjersa e quajti Qeverinë e Republikës së Kosovës “të dështuar”, “të papërgjegjshme” e “kërkuese të s”, Krasniqi tha se ky veprim i Sveçlës paraqiste një tentative të largimit të vëmendjes nga audioincizimet e Kusari-Lilës.
“Veteranët kanë paralajmëruar sot protestë paqësore, për të kërkuar respekt dhe dinjitet nga një Qeveri e cila po i diskriminon në çdo hap e vendim. Pikërisht, për ta eskaluar këtë protestë që veteranët tanë të përballen me policinë, vëllezërit dhe motrat e veta, një ministër pa karakter si Xhelal Sveçla del me fyerje dhe nxitje të tilla…Gjithsesi, kjo është vetëm një tentativë e ulët e Qeverisë, e dështuar në të njëjtën kohë që përmes nxitjes dhe skandalit të radhës ta heq vëmendjen nga koordinimi i Albin Kurtit me Millan Radojçiqin, përmes shefes së Grupit Parlamentar, Mimoza Kusari-Lila”, ka deklaruar Krasniqi.
Ky i fundit u ka bërë thirrje veteranëve të mos bien pre e asaj që ai e quan “orkestrim ndërkombëtar”.
AGK: Gjuhë e rrezikshme e ministrit Sveçla ndaj gazetarëve
Se ky postim i Sveçlës është një sulm ndaj gazetarëve pajtohet edhe juristja e mediave, Flutra Kusari. Ajo ka deklaruar se qasja e tillë e Lëvizjes Vetëvendosje, mbështetësve dhe zyrtarëve të tyre krijon një mjedis të pasigurt për gazetarët.
“Ndërlidhja e punës së gazetarëve të Kosovës me Serbinë dhe Vuçiqin është e rrezikshme dhe çon në dhunë online dhe potencialisht edhe në dhune fizike. Statusi i Ministrit Sveçla është sulm serioz ndaj gazetarëve dhe nxitje e masave për t’i kundërshtuar ata. Dihet që masat nganjëherë nuk zgjedhin metoda. Ministri Sveçla, Lëvizja Vetëvendosje dhe zyrtarët dhe mbështetesit e tyre duhet ta kuptojnë që duke i sulmuar mediat dhe gazetarët nuk mund t’i frikësojnë dhe nuk do t’i frikësojnë apo heshtin ato. Për aq kohë sa kjo qasje nuk ndryshon, gazetarët mbesin jashtëzakonisht të kërcënuar dhe duhet të frikësohen për sigurinë e tyre ndonëse nuk është në natyrën e tyre të frikësohen”, ka shkruar ajo.
Lidhur me këtë postim ka reaguar edhe AGK-ja. Jo më ndryshe se Kusari, edhe AGK e cilësoi si të rrezikshme.
“Gjuha e tillë rrezikon sigurinë e gazetarëve të përmendur dhe është pjesë e tentimit të vazhdueshëm të pushtetit për të frikësuar mediet”, ka deklaruar AGK-ja.