Përditësimi i listës së çmimeve, Shoqata e Distributorëve Farmaceutik paralajmëron për mundësinë e mungesës së barnave

Ministria e Shëndetësisë të premten, më 21 mars mori vendim për përditësimin e Listës zyrtare të produkteve medicinale.

Vendimi për përditësimin e kësaj liste ka ardhur vetëm një muaj pas hyrjes në fuqi të Listës zyrtare të çmimeve të produkteve medicinale.

Ministria thekson se qarkulluesit me pakicë në këtë rast barnatoret, obligohen të vendosin çmimin në të gjitha produktet që kanë në gjendje sipas Listës së përditësuar e cila është pjesë e këtij vendimi.

Lidhur me këtë vendim, Shoqata e Distributorëve të Produkteve Farmaceutike dhe Medicinale të Kosovës, në një përgjigje për Telegrafin ka thënë se MSh i ka dhënë mundësi Bartësit të Autorizimit të Marketingut ose përfaqësuesit e tyre që të aplikojnë për ndryshim të çmimeve.

“MSh bazuar në vendimin mbi deklarimin/ndryshimin/rideklarimin e çmimeve pas miratimit të listës finale me 23.12.2024, përkatësisht 31.12.2024 ka dhënë mundësi që BAM apo përfaqësuesit e tyre të aplikojnë në MSh për ndryshim të çmimeve bashkë me dokumentacionin përcjellës si dhe dëshminë e importit CIP”, kanë deklaruar nga kjo Shoqatë.

Tutje Shoqata e Distributorëve Farmaceutik ka shtuar se deri më tani Ministria e Shëndetësisë përmes Komisionit për çmime ka publikuar vetëm një listë preliminare për disa produkte si infuzione, vaksina dhe të tjera për miratim.

“Kompanitë (ato të cilat nuk pajtohen me çmimet nga lista finale) kanë të drejtë aplikimi çdo 10 ditë të muajit vijues për ndryshim të çmimeve. Gjatë afateve të muajit shkurt dhe mars kanë aplikuar një numër i konsiderueshëm i kompanive, por MSh akoma nuk ka publikuar listat preliminare për miratim. MSh ka afat 45 ditë për publikim të listave preliminare, varësisht nga puna e komisionit dhe pas kësaj periudhe ka afat 30 ditë për ankesa”, kanë deklaruar tutje për Telegrafin nga Shoqata e Distributorëve Farmaceutik.

SHDPFMK ka theksuar se nëse do të merret parasysh metodologjia e çmimit mesatar nga vendet referente dhe çmimet e importit të vitit 2025, atëherë beson që situata mund të stabilizohet, në të kundërtën Shoqata shton se gjatë tërë vitit do të mund të ballafaqohemi me mungesa të produkteve të cilat për shkak të çmimit të pavolitshëm nuk do të mund të importohen dhe tregtohen.

SHDPFMK ka shtuar se ka pranuar shqetësime sa i përket procesit të përditësimit të çmimeve dhe implementimit të tij në treg.

“Po ka pasur, kryesisht shqetësimet janë tek marzha e vogël prej 7.5% e cila nuk i afrohet as pothuajse gjysmës së marzhës së vendeve referente, kostot e papërfshira, pastaj metodologjia etj”, thuhet tutje në përgjigjen e Shoqatës.

Të pyetur nëse ka pasur ndonjë ndryshim të ndjeshëm të çmimeve pas këtij përditësimi të listës, SHDPFMK është shprehur se “është herët të vlerësohet ndryshimi”.

Ata kanë vlerësuar se pa zbrazjen e stoqeve, rregullimin dhe nivelizimin e çmimeve të reja vështirë që mund të sqarohen ndryshimet në konkurrencën në mes barnatoreve dhe distributorëve të barnave në treg.

Për përditësimin e listës zyrtare të çmimeve të barnave, Telegrafi ka dërguar pyetje edhe në Odën e Farmacistëve të Kosovës, por të njëjtit deri në publikimin e këtij artikulli nuk janë përgjigjur.

Lista zyrtare e çmimeve të produkteve medicinale, e miratuar me Vendim nr. 208/XII/2024 të Ministrit të Shëndetësisë, ka hyrë në fuqi më datë 01.02.2025, kurse Ligji për çmimin e produkteve medicinale nr. 08/L-220 ka hyrë në fuqi në gusht të vitit 2023.