Dy deputetët e larguar nga Grupi Parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje, Fatmir Humolli dhe Haki Abazi kanë bashkuar forcat drejt krijimit të një grupi të ri parlamentar në Kuvendin e Kosovës.
Dyshja e larguar nga Lëvizja Vetëvendosje tash e sa kohë funksionojnë si deputetë të pavarur në Kuvendin e Kosovës.
Mirëpo, duket se jo për shumë gjatë Humolli e Abazi do të jenë vetëm. Ata kanë bashkuar forcat për krijimin e një grupi të ri parlamentar në Kuvendin e Kosovës.
Humolli ka deklaruar se ai dhe deputeti Haki Abazi janë duke punuar, për formimin e këtij grupi dhe se po i koordinojnë punët bashkërisht.
“Jemi në përpjekje, jemi duke punuar nëse mund ta bëjmë grupin parlamentar do ta bëjmë. Nëse gjejmë gjuhë të përbashkët me deputet, për t’i mbrojtur interesat e qytetarëve. Me deputetin Haki Abazi kemi rënë dakord, tani jemi në punë e sipër. Kemi rënë dakord me i koordinu punët bashkërisht. Për arsye se në mënyrë individuale, deputeti në Kuvend të Kosovës nuk ka mundësi me ndiku pa qenë grup. Sepse sistemi i punës që është ndërtuar në Kuvendin e Kosovës, deputetin e pavarur e bënë të pavlerë”, tha ai për Indeksonline, transmeton Gazeta Stop.
Por Humolli përveç që tregoi se me Haki Abazin kanë rënë dakord dhe po punojnë bashkë në këtë drejtim, nuk preferoi të përmend deputetët e tjerë, me të cilët janë në bisedime për të iu bashkangjitur këtij grupi parlamentar.
“Nuk është korrekte me tregu, për arsye se kemi diskutuar me deputet. Kur të bëhet grupi ne do ta bëjmë publike. Tani jemi duke punuar për ta bërë grupin. Nëse bëhet mirë, nëse jo do ta vazhdojmë punën ashtu qysh jemi. Për momentin jam deputet i pavarur“, tha Humolli.
Ndërsa thotë se nuk i kanë munguar ofertat nga partitë tjera në Kuvend, që t’i bashkohet grupeve të tyre parlamentare, por se ai nuk ka pranuar, pasi që nuk i janë përputhur pikëpamjet politike.
“Kemi pasur oferta, kemi oferta. Por nuk përputhen pikëpamjet që i kemi ne, ato kanë dallim prej VV, LDK, PDK e as AAK. Pikëpamjet e tyre janë të përafërta. Atëherë me ndërruar prej një partie në parti tjetër, i bjen ego personale. Unë jam larguar për shkaqe parimore politike, jo për interesa personale. Secila parti jam i bindur që ka interes, që unë t’i bashkëngjitëm si deputet. Por pikëpamjet politike për momentin nuk i kemi të përafërta, me partitë tjera politike”, tha ai.