“Për një ‘s’, skuadra franceze ngatërron rrugën dhe eliminohet nga Kupa

Historitë qesharake në Kupën e Francës nuk kanë të mbaruar dhe më e fundit vjen nga skuadra e Tarbes, që u eliminua nga kompeticioni, pasi ngatërroi rrugën dhe nuk arriti dot në kohë në stadiumin e kundërshtarit.

Bëhej fjalë për turin para-eliminator të këtij kompeticioni, ku ekipi i Tarbes duhej të përballej me Vabres-l’Abbaye, megjithatë mbërriti në stadium me 50 minuta vonesë dhe humbi ndeshjen 3-0 në tavolinë, duke u eliminuar përfundimisht.

Shkak është bërë ngatërresa e rrugës, pasi në hedhjen e të dhënave të GPS, shoferi kishte shkruar Vabre, pa “s” në fund dhe autobusi përfundoi në një lokalitet tjetër francez, rreth 90 kilometra larg stadiumit ku ishte planifikuar të luhej ndeshja.

Ekipi i Tarbes provoi të korrigjojë gabimin, duke u nisur menjëherë drejt destinacionit të saktë, por arriti atje rreth 50 minuta pas orarit të përcaktuar për fillimin e ndeshjes dhe atëherë arbitri kishte vërshëllyer tre herë, duke sinjalizuar fundin e një takimi që nuk nisi. /Super Sport/