Për një muaj, 3.000 kosovarë u futën në Gjermani me COVID-19

Në katër javët e fundit 2.946 mërgimtarë të prekur me COVID-19 kanë shkuar nga Kosova në Gjermani.

Sipas raportit të statistikave të institutit gjerman “Robert Koch”, Kosova zë vendin e parë në botë që po çon më së shumti raste të të infektuarve me virus në këtë shtet, raporton KOHA.

Pas Kosovës, vijnë Kroacia dhe Bosnja.

Mungesa e kapaciteteve të Kosovës për testim të qytetarëve që udhëtojnë në shtete të tjera është arsyeja që po e radhit Kosovën si vendin me rrezik të lartë për shpërndarje të virusit.

Për mundësinë e mbylljes së aeroportit apo reduktimin e fluturimeve nga Kosova, KOHA e ka pyetur Ambasadën Gjermane në Kosovë, por ajo nuk ka dhënë përgjigje.

Numri i kosovarëve që kanë hyrë në Gjermani me infeksion në muajin e fundit është i përafërt me numrin e rasteve aktive në nivel vendi, që është një tregues se shifrat nuk përkojnë me situatën faktike në vend.

Kjo edhe për shkakun se jo të gjithë qytetarët po kanë mundësi testimi.

Një gjë të tillë e ka mbështetur deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Fatmire Kollçaku, e cila njëherësh është e angazhuar edhe si epidemiologe.

Ajo ka thënë se Ministria e Shëndetësisë është dashur t’i rriste kapacitetet për testime falas në institutet regjionale para se t’i lejonte testimet në laboratorë privatë, të cilat po janë të kushtueshme.

“Është e qartë se shifra që lajmërohet çdo ditë nuk është edhe shifra më reale e gjithë numrit të rasteve pozitive në Kosovë. Në anën tjetër, është e qartë që në sektorin publik nuk ka pasur kapacitete të mjaftueshme edhe sa u përket resurseve humane, por edhe mundësimin e testimit të të gjithë atyre që kishin nevojë, edhe pse gjatë gjithë kohës në bazë të indikacioneve epidemiologjike janë testuar njerëzit”, ka thënë Kollçaku.

Për shtimin e kapaciteteve për testim ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, javë më parë pati thënë se janë duke planifikuar që në Kosovë të bëhen brenda ditës mbi 3 mijë testime falas. Por, siç ka raportuar KOHA, pas licencimit të laboratorëve privatë IKSHPK-ja e ka ulur numrin e testimeve.

Në një postim në Facebook, ministri Zemaj gjatë të enjtes ka thënë se përmes granteve nga Banka Botërore, Kosova do të furnizohet me më shumë se 200 mijë teste për identifikim të koronavirusit.

“Nga granti i Bankës Botërore përmes ‘Projektit të Shëndetësisë Kosovare’ do të blihen: 7 aparate për RT-PCR, 100.000 teste PCR, 30.000 teste rapide dhe 100.000 teste serologjike. Sikurse janë iniciuar procedurat e tenderimit për sigurimin e 500.000 vaksinave kundër gripit sezonal”, ka thënë Zemaj.

Në lidhje me mundësinë e rritjes së numrit të testimeve falas, KOHA ka provuar të marrë përgjigje nga Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik, por ata nuk janë deklaruar.