E premtja do të jetë ditë zie në Kosovë për shkak të vdekjes së ish-Sekretares amerikane të Shtetit, Madeleine Albright.
“Në shenjë respekti shtetëror, dita e premte, datë 25 mars 2022, shpallet ditë zie në Republikën e Kosovës për të kujtuar miken e madhe të Kosovës, Madeleine Albright e cila u nda nga jeta dje. Zonja Albright e njohu dhimbjen e popullin tonë sepse edhe vet e kishte përjetuar persekutimin qysh në fëmijëri, prandaj qëndroi e vendosur kundër Millosheviqit deri në ndaljen e gjenocidit të tij në Kosovë. E përkrahi pareshtur Kosovën deri në frymën e fundit, prandaj populli i Kosovës do ta kujtojë përjetësisht”, ka thënë Zyra e Presidentes në një njoftim për media.
Albright vdiq të mërkurën në moshën 84-vjeçare pasi ishte e sëmurë nga kanceri.
Albright ishte sekretare në kohën kur në Kosovë u zhvillua lufta. Ajo vlerësohet se pati ndikim të madh për të bindur SHBA-në dhe botën për krimet serbe që po kryheshin në Kosovë nga ushtria dhe policia serbe.
Në nderim të punës së saj, në Prishtinë vite më parë është ngritur edhe një bust i saj.
Ajo ishte Sekretare e Shtetit në periudhën 1997-2001, kur president i SHBA-së ishte Bill Clinton.
Albright ka vizituar tri herë Kosovën, më 1999 sa ishte ende Sekretare, si dhe më 2005 dhe 2019. Më 2005, mbajti një fjalim në Kuvendin e Kosovës.
Albright u lind më 15 maj 1937 në Pragë. Ishte gruaja e parë që ushtroi funksionin e Sekretares së Shtetit.