Për dialog Hoti thotë se s’prishet koalicioni, e për president ka mundësi

Shefi i ekzekutivit, Avdullah Hoti tha se koalicioni qeverisës ndodhet në një situatë specifike, ku duhet të vendoset për presidentin apo zgjedhjet e reja. Sipas tij, në ditët në vijim do të punohet për të gjetur zgjidhjen më të mirë për vendin. Ai tregon edhe nëse çështja e dialogut do të bëhet “mollë sherri”, në acarimin e marrëdhënieve me partnerët e koalicionit.

Sa i përket dialogut, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka deklaruar se është e mendimit që të pezullohet një proces i tillë.

Megjithatë, sot në Bruksel do të rifillojë ky proces mes Kosovës e Serbisë, në nivel ekspertësh. Pak para nisjes së këtij takimi, përfaqësuesi special i BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak ka njoftuar se sot do të diskutohet për çështjet financiare dhe pronat.

Për këtë kryeministri Hoti, pas takimit të grupit ndërministror për të drejtat e njeriut, ka thënë se vazhdimi i dialogut është në interesin më të mirë për shtetin.

“Unë vlerësoj dhe jam i bindur që vazhdimi i procesit të dialogut është në interesin më të mirë të shtetit të Kosovës. Ne në këtë proces nuk shkojmë për interesa të askujt, por shkojmë për të mbrojtur interesin e shtetit të Kosovës. Në bazë të një dakordimi që kemi me partnerët tanë me BE-në që të punohet në draftimin e marrëveshjes finale për njohjen reciproke”, ka deklaruar ai.

Tutje, ai është pyetur edhe nëse procesi i dialogut mund të bëhet “mollë sherri”, dhe acarim të mëtejmë të raporteve me partnerët e koalicionit.

“Nuk besoj që duhet të jetë problematike kjo çështje, sepse po zhvillohet mbi parimet të qarta. Nuk mund të bëhet mollë sherri asnjëherë, sepse ne kemi një program qeverisës, dhe unë po vazhdojmë të punojmë në bazë të atij programi. Tash jemi në një situatë specifike, ku duhet të japim drejtim çështjeve të zgjedhjes së presidentit, apo shkuarjes në zgjedhje. Unë besoj që në ditët e ardhshme do të arrijmë të koordinojmë këto aktivitete i gjithë spektri politik për të gjetur zgjidhje më të mirë për vendin”, tha Hoti.

Hoti ka folur edhe për çështjen e të pagjeturve, dhe kërkesën e familjarëve që në bisedime me Serbinë të jenë edhe dy nëna kosovare.

“Përpara se të shkojmë në procesin e dialogut në korrik, takimet e para i kam pasur me shoqatat e këtyre familjarëve dhe jemi dakorduar për qasjen që do të kemi atje. Është tema e parë e shtruar në procesin e dialogut. Adresimi i kësaj çështje është e kushtëzuar në marrëveshjen përfundimtare, dhe unë jam i kënaqur me progresin që kemi arritur në draftin, pjesën e kapitullit e marrëveshjes përfundimtare që adreson çështjen e të pagjeturve”, tha ai.

Shefi i ekzekutivit u zotua se po punon shumë në këtë drejtim, por që një çështje të tillë nuk e shfrytëzon për deklarime politike.