Ideja e tërheqjes së kursimeve pensionale nuk është e arsyeshme dhe dëmton kontributpaguesit, thotë ish-ministri i Ekonomisë dhe Financave, Haki Shatri.
Megjithatë, profesori i Ekonomisë, Muhamet Sadiku, mendon se tërheqja e kursimeve pensionale është një alternativë, e cila, sipas tij, mund të zbusë gjendjen e rënduar ekonomike dhe sociale të qytetarëve.
Qytetarët në Kosovë janë goditur nga një rritje e lartë e çmimeve të konsumit.
Inflacioni në shkurt të këtij viti ka arritur në 7.5 për qind, krahasuar me 0.7 për qind sa ka qenë shkurtin e 2021-shit.
Çmimet janë në trend të rritjes për shkak të krizës në tregje që ka shkaktuar pushtimi rus i Ukrainës.
Partia Demokratike e Kosovës (PDK) – si partia më e madhe opozitare ka propozuar tërheqjen deri në 30 për qind të kursimeve pensionale.
Deputeti i kësaj partie, Bekim Haxhiu, në emër të Grupit Parlamentar të PDK-së më 9 mars ka dorëzuar në Kuvend Projektligjin për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit për Fondin e Kursimeve Pensionale, i cili do të mundësonte tërheqjen e këtyre mjeteve.
Ky projektligj pritet t’i dërgohet Kryesisë së Kuvendit për futje në rend dite për shqyrtim.
Sipas propozimit të PDK-së, kontributpaguesit që kanë më pak se 10 mijë euro kursime pensionale kërkohet që të kenë të drejtën e tërheqjes së 30 për qind të mjeteve.
Ata që kanë deri 20 mijë euro – 25 për qind, nga 20 mijë deri 30 mijë – 20 për qind.
Për kontributpaguesit që kanë kursime pensionale në shumën prej 30 mijë eurosh – 15 për qind dhe ata mbi 40 mijë euro – 10 për qind të shumës.
Një tërheqje e ngjajshme deri në 10 për qind është bërë në vitin 2020, pas përkeqësimit të gjendjes financiare të familjeve, për shkak të pandemisë së shkaktuar nga koronavirusi.
Partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje, është kundër një propozimi të tillë, ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë, shefja e Grupit Parlamentar, Mimoza Kusari-Lila.
Radio Evropa e Lirë ka kontaktuar deputetë të Lidhjes Demokratike të Kosovës, por ata nuk janë deklaruar rreth asaj se a janë për apo kundër këtij propozimi.
Tërheqja e 10-përqindëshit të kursimeve pensionale ishte bërë në kohën kur Qeveria udhëhiqej nga kryeministri i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti.
Tërheqja e parave të kursimeve pensionale sa herë që ka probleme financiare në vend, për ish-ministrin e Ekonomisë dhe Financave, Haki Shatri, është e paarsyeshme.
“Nuk mendoj që është zgjidhje e mirë. Po ta marrim tani bazën materiale të moshës së pensionit për shkak të disa krizave, për shkak të rritjes së çmimeve – nuk është e arsyeshme”, thotë ai.
Ato para, të cilat mund t’i marrin kontributpaguesit, shton Shatri, nuk do ta zgjidhin e as nuk do ta zbusin problemin ekonomik e social të qytetarit.
Shatri shton se Qeveria më mirë do të ishte të ndërhynte në politika tjera si zbritja e akcizës dhe ulja e TVSH-së, sesa të prekte Fondin e Kursimeve Pensionale.
“Trusti Pensional i ka të investuara mjetet dhe ato nuk mund të tërhiqen kur të dëshiron dikush. Investimi i tyre ka obligime ligjore kontraktuese. Ka procedura, mund të jenë të investuara në periudha afatgjate. Trusti ka obligime edhe ndaj atyre që dalin në pension”, thotë Shatri.
Profesori i Ekonomisë, Muhamet Sadiku, thotë për Radion Evropa e Lirë se nga tërheqja e kursimeve pensionale nuk rrezikohet likuiditeti i sistemit financiar të Kosovës apo likuiditeti i vetë Trustit.
“Kosova ka mundësi të kufizuar buxhetore për të intervenuar, prandaj kërkohet intervenim nga burimet tjera, siç janë edhe kursimet pensionale”, thotë Sadiku.
Fondi i Kursimeve Pensionale me mbi 700 mijë kontributpagues ka vlerën prej mbi 2.3 miliardë eurosh.
Aktualisht, 78 për qind e mjeteve janë të investuara në tregjet financiare ndërkombëtare dhe rreth 22 për qind në Kosovë.
Zyrtarë të Fondit të Kursimeve Pensionale nuk kanë dashur të komentojnë lidhur me propozimin e tërheqjes së këtyre mjeteve.
Të pyetur nga Radio Evropa e Lirë se a preket likuiditeti i parave të Trustit në rast të tërheqjes deri në 30 për qind të kursimeve dhe se a duhet bërë një gjë e tillë, ata thonë se nuk mund të deklarohen për këtë.
“Fondi i Kursimeve Pensionale i Kosovës e ka për mandat t’i administrojë dhe menaxhojë kontributet pensionale deri në pensionimin e kontribuuesve. Ky mandat nënkupton zbatimin e kornizës ligjore në fuqi, që buron nga institucionet përgjegjëse”, thuhet në përgjigje.
Të gjithë të punësuarit në Kosovë paguajnë 10 për qind kontribute pensionale nga paga e tyre: 5 për qind i paguan punëdhënësi, kurse 5 për qind ndahen nga paga e të punësuarit.
Kursimet pensionale mund të përdoren nga kontribuuesi vetëm pasi t’i përmbushë kriteret për pensionim, përkatësisht arritjen e moshës 65 vjeç.
Në një anketë të Radios Evropa e Lirë në rrjetin social Facebook me pyetjen ‘A duhet të lejohet edhe një tërheqje nga Trusti’, qytetarët janë shprehur për dhe kundër.
Kontributpaguesit, 10 për qind të shumës së siguruar nga kursimet pensionale, të fituar gjatë kohës sa kanë punuar, e kishin tërhequr në vitin 2020.
Nga Trusti ishin tërhequr afro 200 milionë euro nga mbi 420 mijë kontributpagues.
Tërheqja ishte bërë pas miratimit të Ligjit për rimëkëmbjen ekonomike.
Një raport i bërë nga Instituti për Hulumtime të Avancuara GAP, pati vënë në pah se 40 për qind të mjeteve, qytetarët i kishin deponuar në llogari private.
“Një numër i madh i kontributpaguesve nuk i kanë shpenzuar mjetet, por kanë kursyer”, thuhet në raportin e GAP-it.
Në këtë tërheqje, sipas ligjit, Qeveria e Kosovës do të kompensojë brenda pesë vjetëve vetëm kontributpaguesit që kishin kursime deri në 10 mijë euro dhe të cilët kanë bërë tërheqjen.
Kurse, kontribuuesit që kishin më shumë se 10 mijë euro, nuk kanë pasur kompensim.
Fondi Monetar Ndërkombëtar në atë kohë e kishte kundërshtuar tërheqjen e 10 për qindëshit nga Trusti.
Sipas FMN-së, tërheqja ‘zvogëlon pensionet e ardhshme dhe kufizon madhësinë e tregut të brendshëm të kapitalit, që ka qenë burim esencial i financimit të buxhetit’.