Në periudhën prej 1 deri më 9 korrik, Aeroportin Ndërkombëtar ”Adem Jashari” në Prishtinë, e kanë shfrytëzuar gjithsej 30.755 udhëtarë.
Prej tyre 21.385 kanë hyrë në Kosovë përmes këtij aeroporti, ndërsa 9.370 kanë udhëtuar jashtë vendit.
Gjatë kësaj periudhe janë realizuar gjithsej 321 fluturime.
Prej tyre 160 vajtje, ndërsa 161 ardhje. Brenda ditës janë realizuar 30 deri në 63 fluturime.
Këtë e ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë, zëdhënësi i aeroportit, Bujar Gashi.
Që nga 9 korriku, Aeroporti “Adem Jashari” ka filluar të zbatojë vendimin e Qeverisë së Kosovës, përmes të cilit lejohet vetëm nga një fluturim çdo 45 minuta. Brenda kësaj dite janë realizuar deri në 25 fluturime.
Gashi thekson se masat e reja në lidhje me uljen e numrit të fluturimeve do të zbatohen, deri në një vendim të ri të Qeverisë së Kosovës.
Aeroporti “Adem Jashari”, krahas aeroportit në Shkup të Maqedonisë së Veriut, është ndër të fundit në rajon që u rihap për pasagjerët, pas mbylljes më 22 mars, si pjesë e masave kufizuese, që synonin parandalimin e përhapjes së koronavirusit.
Aeroporti u rihap më 28 qershor.
Ky aeroport ka njoftuar të gjithë pasagjerët, përmes faqes së tij zyrtare në Facebook, se duhet t’i respektojnë rregullat e reja kur udhëtojnë.
Përkatësisht, para çdo fluturimi, është e nevojshme që pasagjerët të mbërrijnë në aeroport tri orë para nisjes. Mbajtja e maskave është e detyrueshme sikurse distanca fizike prej 1.5 metrash.
Pasagjerët i nënshtrohen matjes së temperaturës në hyrje të aeroportit.
Disa aeroporte në rajon gjithashtu kanë ulur numrin e fluturimeve, kështu që për shembull, në Aeroportin Ndërkombëtar në Podgoricë të Malit të Zi, me datën 10 korrik kanë qenë të parapara vetëm 8 fluturime, 4 mbërritje dhe 4 nisje.
Rreth 20 aeroplanë janë planifikuar të ulen ose të fluturojnë nga Aeroporti Ndërkombëtar i Shkupit në Maqedoninë e Veriut.
Numri më i lartë i fluturimeve ndërkombëtare në rajon u regjistrua në Serbi, në aeroportin “Nikola Tesla” në Beograd.
Sipas të dhënave nga faqja zyrtare e këtij aeroporti, rreth 100 fluturime janë planifikuar për datën 10 korrik.
Në Kosovë, numri i personave të infektuar me koronavirus është rritur në ditët e fundit. Numri i përgjithshëm i infektuarve deri më 10 korrik është 4,307, ndërsa numri i përgjithshëm i vdekjeve ka arritur në 94.