Vetëm në 11-ditëshin e parë të muajit prill është importuar rreth 5.4 milionë euro energji elektrike, ka njoftuar KESCO të premten.
Rënia e temperaturave dhe pamjaftushmëria e mbulimit të konsumit nga prodhimi vendor, ka ndikuar që të importohet energji elektrike në vlerë kaq të madhe në këtë kohë.
“Brenda këtyre datave prodhimi vendor nuk ka mbuluar të gjithë nevojën për konsum, ndërsa piku më i lartë i regjistruar në këtë periudhë ka arritur deri në 1100 MW\h. Rrjedhimisht, importi ka qenë I domosdoshëm për të mbuluar këtë diferencë në mes konsumit dhe prodhimit”, thuhet në njoftimin e KESCO-s.
Sipas KESCO-s, konsumi mesatar ditor ka arritur deri në 19.500 MWh, ose 810 megavat në orë, kurse çmimi në berzha ndërkombëtare është mbi 130 euro për megavat/orë.
“Në këto rrethana ajo se çfarë është e rëndësishme për të gjithë sistemin, është vazhdimi i kursimit të energjisë. Pra, të gjitha këshillat e ndara se si të kursehet energjia elektrike duhet të jenë pjesë e përditshmërisë sonë, sidomos në periudha të tilla kur pasojat e krizës energjetike globale kanë prekur rëndë të gjithë sistemin elektroenergjetik”, vijon njoftimi i KESCO.
KESCO në fund ka thënë se do të bëjnë më të mirën që të ketë furnizim stabil dhe të qëndrueshëm për konsumatorët.
Nga 1 prilli, Bordi i Zyrës së Rregullatorit për Energji ka vendosur që faturat e energjisë elektrike të rriten për 15.4 për qind.