Ngrënia e pemëve dhe perimeve të vjeshtës sjell shumë përfitime për shëndetin.
Me konsumimin e mollëve, dardhave, kungujve, ftonjve, mollëve japoneze, rrushit e shegës gjatë vjeshtës, rritet edhe sasia antioksidantëve, fibrave, vitaminës C dhe ushqyesve të tjerë, që merr organizmi.
“Me të vërtetë nuk mund të gabosh me asnjë pemë ose perime që zgjedh në vjeshtë, sepse të gjitha sjellin përfitimet e tyre për shëndetin e zemrës”, ka thënë dietologia nga Miami, Diana Mesa, raporton VeryWellHealth.
Ajo ka treguar se më së miri për shëndetin është të konsumohen frutat e sezonit.
Dietologia gjithashtu ka cekur se nuk ka ndonjë problem të hahen edhe frutat e ngrira apo edhe të konservuara, por se preferon ato të freskëta për shkak se janë më të pasura me veti ushqyese.
Mesa ka vlerësuar se kungulli është prej perimeve më të rëndësishme dhe ka rekomanduar që ai të hahet përgjatë tërë stinës.
Kungulli përmban pigmentin betakaroten i cili i jep ngjyrën e portokalltë, por ky pigment është shumë i mirë, pasi që kur futet në organizëm shndërrohet në vitaminë A. Kjo vitaminë ka veti antioksiduese dhe ndihmon organizmin kundër shumë sëmundjeve.
Nutricistja i ka cilësuar si shumë të rëndësishme edhe farat e kungullit.
“Nëse po planifikoni të bëni një skulpturë me kungull për festën e ‘halloweenit’, ruani farat dhe piqini sepse përmbajnë shumë fibra, antioksidant dhe parandalojnë shumë sëmundje gjithashtu”, ka thënë ajo.
Mesa ka folur edhe për mollën duke thënë se ajo njihet si mbretëresha e frutave dhe se duhet të konsumohet çdo ditë. Ajo ka thënë kjo frutë mund të piqet e të shijohet si ëmbëlsirë në mënyra të ndryshme.
Ndërsa për shegën ka thënë se e ulë presionin e gjakut dhe është shumë e pasur me polifenole, që ndihmojnë në funksionimin e zemrës.