Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural Faton Peci, thotë se gjatë së hënës ka autorizuar sekretarin e Ministrisë për ndërprerjen përfundimtare të qerasë ku ndodhen zyrat e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës.
Në një intervistë ministri Peci ka folur edhe për deklaratat e zyrtarëve të AAK-së, teksa i quan kërcënim të hapur.
Ai gjithashtu ka njoftuar se kontrata me Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës është shkëputur përfundimisht, për shkak të mungesës së mirënjohjes dhe korrektësisë në komunikim.
“Me revidimin e kontratës ka qenë edhe mundësi që të rikthejmë rreth 600 metra katrorë dhe me qenë se kemi qenë shumë korret dhe gjeneroz, dhe me qenë se ata kanë pasuar me jomirënjohje dhe jokorrektësi në komunikim me Ministrin e Bujqësisë, sot ne mëngjes Ministria ka marr vendim që përfundimisht të shkëputet tërësisht kontratën me Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës”, thotë Peci.
Peci shprehet i bindur se në një periudhë të shkurtër i gjithë objekti ku gjendet AAK-ja do të jetë në dispozicion të dikasterit që ai e drejtin.
“Varësisht prej dispozitave edhe siç është e paraparë në një periudhë tranzitore, për një periudhë të shkurtër kohore i gjithë objekti do të jetë në shfrytëzim për Ministrinë e Bujqësisë, për titullarin e institucionit. Edhe mua me vjen keq realisht prej periudhës së pasluftës objekti i Ministrisë së Bujqësisë nuk është shfrytëzuar nga titullari i institucionit dhe në anën tjetër ne përballemi me një qira shumë të lartë aktualisht në objektin që e ushtrojmë veprimtarinë tonë”, thotë ai për Ekonomia Online.
Ndërsa deklaratën e ish-zëdhënësit të AAK-së, Lulzim Blaka “Mirë se vjen o trim Të presim siç është zakoni”, Peci i sheh kërcënim të hapur. Thotë se komunikim i tillë bëhet vetëm në Dukagjin.
“E para unë kam thënë që shihemi të hënën për shkak se kishte kaluar afati kohor dhe thjeshtë ka qenë edhe vendimi i imi dhe sugjerim i imi për pjesën e ekzekutivit për të shkëputur këtë kontratë. Ai është një komunikimi i një tradite në Dukagjin, mendoj që është kërcenim i hapur. Por sido që të jetë për të gjithë ata që përçojnë mesazhe të tilla dhe që mendoj që kuptimin e kanë forcën ose guximin të ballafaqimit vandal, unë kam guximin intelektual edhe guximin me ndjek interesin publik të qytetarëve dhe të institucioneve”, u shpreh ai.