Mbështetja financiare e Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural për fermerët në tre vitet e fundit arrin në mbi 300 milionë euro, ndërsa rritja e mbështetjes përmes programeve arrin deri në 275 për qind për disa kultura bujqësore, përkrahje kjo e cila ka reflektuar në rritje të pjesëmarrjes në aktivitete bujqësore për 27 për qind.
Këto të dhëna janë bërë të ditura sot nga Ministri i BPZhR-së, Faton Peci në “Konferencën për Bujqësinë e Qëndrueshme dhe Vendimmarrjen e Bazuar në të Dhëna”, e cila është organizuar nga MBPZhR-ja në bashkëpunim me PPSE (Promoting Private Sector Employment), projekt i Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim, që implementohet nga Swisscontact dhe Instituti Riinvest.
Me këtë rast, Peci ka theksuar se krahas rritjes së mbështetjes gjatë mandatit të tij në tre vitet e fundit, sektori i bujqësisë ka pësuar një ndryshim rrënjësor në mënyrën e menaxhimit dhe zhvillimit. Kjo sipas tij është arritur përmes zbatimit të praktikave të qëndrueshme, rritjes së investimeve në sektor, luftimit të korrupsionit dhe rritjes së transparencës.
“Pas 9 viteve ngecje nga 4 qeveri radhazi, kemi avancuar legjislacionin dhe dokumentet strategjike, me c’rast kemi aprovuar 28 ligje, përgjatë mandatit tonë e për herë të parë kemi hartuar dhe aprovuar Strategjinë për Zhvillimin e Bujqësisë. Angazhimi ynë për të përmirësuar konkurrencën dhe qëndrueshmërinë e sektorit agroushqimor është kyç për të ardhmen tonë. Në strategjinë për zhvillimin e bujqësisë, kemi vendosur që qëndrueshmëria të jetë në qendër të objektivave tona duke vendosur si objektivi strategjik të parë rritjen e konkurrencës së sektorit agro-ushqimor dhe përmirësimin e efikasitetit dhe qëndrueshmërisë së prodhimit të fermës”, tha Ministri Peci.
Ai ka treguar se sipërfaqja e punuar e tokës sipas Agjencisë së Zhvillimit të Bujqësisë si institucioni më relevant për të dhënat në bujqësi, në vitin 2019 ishte 81,517ha, ndërsa në vitin 2023 sipërfaqja e punuar është 121,650,17ha apo 49,23% më shumë, se në vitin 2019.
Ndërkaq, në kuadër të angazhimit të tij, Peci ka theksuar se për hartimin e projekt-ideve për fondet IPA 2025-2027, si prioritet kanë trajtuar fuqizimin e bujqësisë së qëndrueshme në Kosovë, duke harmonizuar atë me politikat evropiane, si Marrëveshja e Gjelbër dhe Strategjia “Farm to Fork”.
Në anën tjetër, Jean-Christophe Fave, përfaqësues nga Agjencia për Zhvillim dhe Bashkëpunim, tha se bashkëpunimi ndërmjet fermerëve, bizneseve dhe institucioneve është shumë i rëndësishëm dhe se në këtë mënyrë po kontribuojnë jo vetëm në ekonominë, por në transformimin e shoqërisë. “Kosova po i bashkohet e forcave globale për mjedis. Bashkëpunimi ndërmjet fermerëve, bizneseve dhe institucioneve është shumë i rëndësishëm”, tha ai.
Ndryshe, gjatë kësaj konference, zyrtarë të MBPZhR-së kanë mbajtur prezantime lidhur me Mbështetjen Institucionale për Sektorin e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Përkrahjen e Sektorit të Bujqësisë përmes Granteve dhe Vendimmarrje bazuar në të dhëna, si dhe prezantime që tregojnë rezultate të studimeve për bujqësinë e qëndrueshme.