Ministri i Bujqësisë, Faton Peci, ka folur për kohën sa ishte në LDK, duke thënë se s’e ka menduar asnjëherë largimin nga kjo parti, por rrethanat e detyruan, teksa shtoi se s’ndjehet i penduar.
Peci tha se nuk po i mungon LDK-ja, ndonëse është rritur në këtë parti, ai tha se në 7-8 vjetët e fundit është gjendur veç në përplasje.
Ai foli edhe për kryetarin e ri të kësaj partie, Lumir Abdixhiku, ku tha se nuk e njeh shumë ADN-në e LDK-së.
“Ta reformosh LDK-në është punë e vështirë. Unë jam rritë me LDK-në që nga viti 98, ndërsa përshtypja ime për Abdixhikun është se nuk e njeh shumë ADN-në e LDK-së. Kam përshtypjen se ende është duke notuar që ta shoh se ku është LDK-ja”, është shprehur Peci në “Info Magazine” në Klan Kosova.
I pyetur se a ka mundësi që Lista Guxo të kthehet në LDK, Peci tha se është hipokrizi e madhe nëse Lista Guxo do të thoshte se “ne morëm besimin, morëm deputetë, morëm presidencën dhe po shkëputemi pa asnjë arsye”.
Sa i përket presidentes Osmani, Peci tha se ajo është e pazëvendësueshme në Guxo, ndonëse ajo tashmë nuk është pjesë e saj pasi ushtron funksionin e presidentes.
Ai tha se e kanë më të vështirë pa të, por s’do ta harrojnë se ideatore e Guxo, sipas tij, është Vjosa Osmani, teksa shtoi se s’ka interesim për të parin e kësaj partie.
“Nuk kam interesim për të parin e Guxo. Interesimi im është që ta jap maksimumin e mundshëm për ta demonstruar se kuadrot që kanë marrë përgjegjësi institucionale është që ne e kemi seriozisht kontributin për vendin”, ka thënë Peci.