Peci: 31 mijë fermerë përfituan 61 milionë euro subvencion e grante

Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural (MBPZhR), Faton Peci, e ka quajtur vitin 2023 si të suksesshëm për bujqësinë kosovare.

Në konferencën përmbyllëse të vitit, Peci ka thënë se këtë vit 31 mijë fermerë kanë përfituar në kuadër të subvencioneve në vlerë prej mbi 61 milionë euro.

Ndërsa janë miratuar 491 projekte të granteve në vlerë prej 24.2 milionë euro.

“Nëse vitit 2023 i vendosim një shifër për bujqësinë, ajo është vlera prej 85 milionë eurosh përmes së cilës është shpërblyer puna dhe mundi i bujkut tonë të vyer. Në kuadër të kësaj, janë miratuar 491 projekte të granteve në vlerë prej 24.2 milionë eurosh ndërsa 31 mijë është numri i përfituesve të subvencioneve në vlerë prej mbi 61 milionë eurosh”.

“Viti që po lëmë pas, ka qenë viti më i suksesshëm për sektorin e bujqësisë, një vit i mbarë dhe i begatisë. Ky vit është sinonimi i rekordeve në disa sfera si në të mbjella, në mbështetje ndaj fermerëve si dhe në rritje të numrit të përfituesve në Programet mbështetëse të Ministrisë”, u shpreh Peci, raporton EO, transmeton Gazeta Stop.

Peci foli edhe për përkrahjen që ky dikaster u ka dhënë bujqësve, duke sqaruar se sipërfaqet e mbjella janë rritur për 63 për qind, ndërsa është shënuar rritje e eksportit të produkteve bujqësore për 29% krahasuar me vitin e kaluar për të njëjtën periudhë kohore.

Fjalimi i plotë i Pecit:


Të dashur qytetarë,

Të nderuar përfaqësues të mediave,

Faleminderit që jeni sot këtu prezent, për ta ndarë suksesin e përbashkët e një viti të suksesshëm për bujqësinë në Kosovë, falë mbështetjes qeveritare, vizionit dhe përkushtimit tonë. 

Viti 2023 për bujqësinë, është viti rekord për sa i përket të mbjellave, numrit të përfituesve dhe mbështetjes financiare.

Nëse vitit 2023 do i vendosnim një shifër për bujqësinë, ajo është vlera prej 85,468,659.63 milionë Eurosh përmes së cilës është shpërblyer puna dhe mundi i bujkut tonë të vyer.

Në kuadër të kësaj, janë miratuar 491 projekte të granteve në vlerë prej 24.2 milionë Eurosh, ndërsa 31,024 është numri i përfituesve të subvencioneve në vlerë prej 61,478,890 milionë Eurosh.

Viti që po lëmë pas, ka qenë viti më i suksesshëm për sektorin e bujqësisë, një vit i mbarë dhe i begatisë. Ky vit është sinonimi i rekordeve në disa sfera si në të mbjella, në mbështetje ndaj fermerëve si dhe në rritje të numrit të përfituesve në Programet mbështetëse të Ministrisë.

Si pasojë e krizës globale të shkaktuar fillimisht nga COVID 19, por edhe invadimi Rus në Ukrainë, jemi përballë me një rritje të madhe të çmimeve të inputeve bujqësore dhe me të edhe me rrezikun e braktisjes së aktiviteteve bujqësore nga ana e fermerëve, mirëpo ne kemi arritur që jo vetëm ta ruajmë numrin e fermerëve, por edhe ta rrisim atë.

Sipërfaqet e mbjella janë rritur për 63%, ndërsa është shënuar rritje e eksportit të produkteve bujqësore për 29% krahasuar me vitin e kaluar për të njëjtën periudhë kohore.

Gjatë këtij viti kemi arritur të kemi mbi 100 mijë hektarë me drithëra, ku 66 mijë hektarë janë mbjellë me grurë dhe 42 mijë hektarë me misër.

Nga ana tjetër, 35.5 ha janë sipërfaqet e ngritura për prodhimin e perimeve në sera, ndërsa 142.22ha është sipërfaqja totale e ngritur për frutat manore, arrore dhe drufrutore.

Viti 2023 për MBPZHR-në është edhe vit i transparencës!

Falë punës me letra të hapura, jemi vlerësuar si institucioni më transparent në vend!

Për herë të parë është aprovuar në Qeveri, Programi pesëvjeçar për Bujqësi dhe Zhvillim Rural 2023-2027, bazë kjo për hartimin e politikave të qëndrueshme afatgjate.

E gjitha kjo, me faqe të bardhë, pa asnjë skandal e aferë korruptive, duke u bazuar vetëm në meritokracinë si parim dhe llogaridhënien si indikatorë të transparencës para qytetarëve taksapagues e para bujqve.

Në vazhdën e angazhimeve tona në avancim të agjendës legjislative kemi arritur që pas më shumë se një dekade, ta hartojmë dhe të hyjë në fuqi Ligji për Pyje duke mundësuar reformë gjithëpërfshirëse të sektorit të pylltarisë.

Kemi filluar këtë vit edhe reformën lidhur me inspektimet duke formuar inspektoratin kryesor i cili do të mundësojë rritjen e aftësive mbikëqyrëse në terren, si dhe efikasitetin e punës.

Kemi mbjellë 357,025 fidane në një sipërfaqe prej 142.8 hektarë, kurse për 51% ka rënë numri i prerjeve ilegale. Këtë vit projekti i pyllëzimeve është projekt i cili përmban në kontratë edhe mirëmbajtjen e fidanëve me kushte të veçanta për 3 vite me qëllim të arritjes së rezultatit të plotë të zënies së fidanëve.

Agjencia Pyjore e Kosovës këtë vit ka realizuar projektin e rrallimeve paratregtare dhe hapjen e brezave kundër zjarreve pyjore në sipërfaqe prej 239 ha, projekt ky i cili ka munguar që nga viti 2019.

Agjencia Pyjore e Kosovës në kuadër të Projektit “Mbështetje në fuqizimin e menaxhimit të qëndrueshëm dhe shumëqëllimor të pyjeve për përmirësimin e jetesës në zonat rurale dhe adresimin e ndryshimeve klimatike në Kosovë” qe po financohet nga Suedia dhe Komisioni Evropian dhe që po mbështetet në zbatim nga FAO ka pranuar automjete terreni, GPS dore për stafin profesional të APK-së, dylbi digjitale që përfshijnë dhe marrjen e pamjeve gjate natës, dronë me specifika te larta për monitorim dhe mbrojtje te pyjeve, si dhe ngritje të kapaciteteve të zyrtareve të APK-së për përdorim të dronëve.

Kemi inicuar me sukses kompetencën e mbikëqyrjes dhe menaxhimit të pyjeve nga niveli lokal në atë qendror, përfshirë këtu transferimin e 266 zyrtarëve nga niveli lokal në Agjencinë e Pyjeve të Kosovës si agjenci qendrore dhe e vetmja e autorizuar për menaxhimin e pyjeve të Kosovës.

Viti 2023 shënoj suksesin më të madh në historinë e funksionimit të Ministrisë së Bujqësisë!

Kemi Ratifikuar në Kuvend Marrëveshjen mes Qeverisë së Kosovës dhe Qeverisë Gjermane në vlerë prej 20.2 milionë Euro për grante në agroturizëm, ekoturizëm dhe zhvillim rural nga të cilat 10.2 milionë janë financim i Qeverisë Gjermane!

9.2 milionë Euro është vlera e grantit nga Komisioni Evropian për investime e ngritje të kapaciteteve në sistemin e ujitjes për vitet e ardhshme.

Ndërsa, 7 milionë është vlera me të cilën do të përkrahet Agjencia për Zhvillimin e Bujqësisë, për procesin e akreditimit që do të fillojë gjatë Janarit/Shkurtit të vitit 2024.

Kjo do t’i mundësoj fermerit të Kosovës që nga viti 2026 të ketë qasje në fonde nga 50 milionë deri në 100 milionë Euro krahas buxhetit vendor.

Për të dytin vit me radhë jemi ballëhapur përballë fermerëve duke paguar deri në centin e fundit obligimet kontraktuale ndaj tyre.

7.2 milionë është vlera me të cilën kemi mbështetur gratë fermere në kuadër të Programit për Zhvillim Rural, kemi thjeshtuar kriteret e aplikimit në Programet Mbështetëse duke shtuar numrin e kontrollave në teren.

Në kuadër të fushatës “Zero Tolerancë”, deri më 1 Nëntor edhe kur ka pushuar së qeni kompetencë e Ministrisë së Bujqësisë dhe Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinës zbatimi i Ligjit për Duhanin, personalisht së bashku me Inspektorët Sanitarë që kanë qenë në kuadër të Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinës, kemi vizituar të gjitha rajonet e Kosovës. Janë realizuar gjithsej 3293 inspektime nga të cilat rreth 600 kanë rezultuar me gjoba. Viti 2023 është viti më i suksesshëm në zbatimin e Ligjit të Duhanit që nga hyrja e tij në fuqi në vitin 2013. Nga 1 Nëntori Inspektorët Sanitarë, në bazë të legjislacionit të ri, janë pjesë përbërëse e Ministrisë së Shëndetësisë.

Sa i përket sigurisë ushqimore janë realizuar 70,555 inspektime të cilat kanë rezultuar me marrjen e 3,133 mostrave me ç’rastjanë asgjësuar 1,173,970.78 kg produkte ushqimore me origjinë të dyshimtë dhe të dëmshme. Përveç kontrolleve inspektuese kemi punuar, si në gjurmueshmëri ashtu edhe në raportim të situatave apo incidenteve në aspektin e sigurisë ushqimore.

Në Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinës kemi shtim të kapaciteteve laboratorike dhe zhvillim të metodave të reja testuese të akredituara, duke akredituar kështu 5 metoda të reja nga Drejtoria e Akreditimit të Kosovës.

AUV-ja është trupa e vetme inspektuese në Republikën e Kosovës e cila ka digjitalizuar metodën e inspektimeve. Përveç efikasitetit, kjo rrit edhe transparencën duke i organizuar shërbimet e inspektoratit me drejtoritë brenda AUV-së.

Ka përfunduar me sukses plani ideor për ndërtimin e objektit të ri të Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Agjencisë së Pyjeve të Kosovës dhe Agjencisë për Zhvillimin e Bujqësisë, duke mbushur edhe kushtin e nevojshëm për akreditim të AZHB-së e që është objekti në pronë të shtetit.

Kemi identifikuar asetet shtetërore në pronësi të MBPZHR-së, si dhe kemi denoncuar tek organet e rendit dhe drejtësisë uzurpimet dhe ndërtimet pa-leje po në prona të Ministrisë.

Mbetet në vizionin tim, thellimi i bashkëpunimit me partner ndërkombëtar, vende mike e homologë, me qëllim të shtimit të mundësive për projekte madhore e shkëmbime eksperiencash.

Vizita e Ministrit Federal të Ushqimit dhe Bujqësisë së Gjermanisë, Cem Ozdemir, vulosi angazhimin konkret drejt projekteve të përbashkëta, si dhe bashkëpunimit të ndërsjellë me shtetin gjerman.

Përmes bashkëpunimit me Universitetin e Iovës, është i dyti vit me radhë që jemi nikoqirë të studentëve që kryejnë punë praktike në institucionin tonë, gjatë një semestri të studimeve, si fryt i bashkëpunimit dhe marrëveshjes së nënshkruar në fillim të mandatit tim si Ministër.

Është aprovuar Plani i Veprimit për Bujqësi Organike të Republikës së Kosovës (NOAP) 2023–2026 – 12.04.2023;

Është aprovuar Plani Strategjik i Sistemit Këshillues të Kosovës për Bujqësi dhe Zhvillim Rural 2023-2027;

Është hartuar dhe aprovuar Raporti vjetor i monitorimit te Strategjisë për Bujqësi dhe Zhvillim Rural 2022-2028;

Është hartuar dhe aprovuar Raporti vjetor i monitorimit te Strategjisë për Zhvillimin e Pylltarisë 2022-2030;

Me përkrahjen e GIZ-it, është përfunduar Pilot-Projekti për Invetarizimin e Peshkut në Lumin Drini i Bardhë;

Është aprovuar në Kuvendin e Republikës së Kosovës si dhe ka hyrë në fuqi përmes dekretit të Presidentes Ligji për Bujqësi dhe Zhvillim Rural, ndërkaq Projektligji për Verërat dhe Projektligji për Organizimin e Tregut të Produkteve Bujqësore gjinden në lexim të dytë. 

Sot në mbledhje të qeverisë, aprovojmë projektligjin për Faturat e Kulturave Bujqësore dhe Fletë magazinat. 

Kam nënshkruar 11 akte nënligjore të cilat rregullojnë në detaje çështjet si kërkesat teknike që lidhen me materialin fidanor, kafshët shoqëruese, ekzaminimit të varietetit, për cilësinë e mjaltit, për kompensimin e kafshëve të asgjësuara nga sëmundjet infektive, për shfrytëzimin e produkteve pyjore jo drunore, zbatimin e rregullave shëndetësore për nënprodukte shtazore dhe produkte të derivuara që nuk janë të destinuara për konsum nga njeriu.

Realizimi i buxhetit është 96%!

Kam realizuar 127 vizita tek fermerët për të parë nga afër sfidat edhe sukseset por edhe për t’iu ofruar dorën e përkrahjes së shtetit. 

Ju faleminderit!