Partia Demokratike e Kosovës (PDK), ka thënë se i konsideron zhgënjyese zhvillimet e fundit në dialogun Kosovë-Serbi. Për këtë thotë se do të kërkojë seancë të jashtëzakonshme në ditët e ardhshme për të kërkuar më shumë transparencë dhe llogaridhënie.
Përmes një komunikate për media kjo parti thotë se pritjet e mëdha qytetare dhe të PDK-së për një marrëveshje finale që garanton njohjen e ndërsjellë, janë kthyer në një proces pa afat dhe me kompromise nga ana e delegacionit shtetëror të Kosovës.
“Në takimin e përbashkët të kryesisë dhe grupit parlamentar të PDK-së, është konstatuar e rrezikshme rrëshqitja e delegacionit shtetëror nga bisedimet për marrëveshje finale e të obligueshme ligjore, në biseda për tema me karakter teknik. PDK kërkon nga delegacioni shtetëror i Kosovës që të respektohet Kushtetuta e vendit. Bisedimet për territore dhe pasurinë kombëtare të Kosovës, janë anti-kushtetuese dhe kundër interesave strategjike të vendit”, thuhet në komunikatë.
PDK thotë se është i padobishëm procesi i Mini-Shengenit i cili u pranua nga delegacioni shtetëror i Kosovës.
“PDK është për Shengen, por, jo për Mini-Shengen. PDK përshëndet paralajmërimin e Kryeministrit të Izraelit, Benjamin Natanyahu për njohjen e Kosovës nga ana e shtetit të tij. Roli i Presidentit Trump në këtë proces ishte i jashtëzakonshëm. Kjo i kontribuon hapjes së një kapitulli të ri mes dy vendeve tona”, thuhet në njoftim.