Partia Demokratike e Kosovës (PDK), do të mbajë sot Konventën e dhjetë me radhë të partisë në të cilën pritet të zgjidhet kryetari i ri i partisë.
Në njoftimin për media të kësaj partie bëhet e ditur se Konventa do të mbahet nga ora 09:30.
Sipas PDK-së, kjo Konventë është e ndarë në dy pjesë. Pjesa e parë do të jetë ceremoniale dhe ftohen mediat ta përcjellin këtë ngjarje.
Në Konventë do të marrin pjesë 794 delegatë.
Sipas afatit të përcaktuar në ditën e shpalljes së zgjedhjeve, deri të enjten në ora 17:00, kandidaturën për kryetar të partisë e ka paraqitur vetëm Memli Krasniqi.
Ndërsa ish-ushtruesi i detyrës së PDK-së, Enver Hoxhaj dy ditë më parë përmes një konference për media bëri të ditur se nuk do të kandidojë për të parin e partisë.